Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj e nisi me pakënaqësira fjalën e tij përshëndetëse në sesionin e ri parlamentar të së hënës së 5 shtatorit, duke i uruar parlamentit jetë të shkurtër.
“E udhës është të thuhet gjithmonë punë e mbarë. Çfarë pune të mbarë mund t’i urosh këtij parlamenti? Punë e mbarë për ligjet e bëra me porosi? Punë e mbarë për fjalën e penguar të opozitës? Jo punë të mbarë për këto çështje nuk mund të ketë. Unë nuk shpresoj se edhe në këtë sesion do ketë punë të mbarë të këtij Parlamenti sepse është produkt i zgjedhjeve të vjedhura. Po t’i pyesësh sot shqiptarët askush nuk e sheh këtë parlament si vendin ku flitet për hallet e tyre. Një gjë do ta them. Punë e mbarë dhe jetë të shkurtër këtij parlamenti”, -tha Alibeaj, ndërkohë që Partia Demokratike vazhdon e ndarë në dy grupe.
Nga Partia Socialiste fjalën e mori, përsëri kreu i Grupit Parlamentar, Taulant Balla, duke thënë se të enjten do të kalojë ligji për ndryshimin e rolit të Kuvendit në procesin e hapjes së negociatave.
Balla kërkoi reflektim nga Kuvendi edhe për “ngritjen në fuqi të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit.
“Kemi rënë dakord për një Komision të Posaçëm për ndryshimit e ligjit për rolin e Kuvendit gjatë procesit të negociatave. Do të jetë bipartizan dhe besoj të enjten do ta kalojmë. Ligji duhet ndryshuar me urgjencë për të përqasur rolin që ka Kuvendi në këtë fazë të re.
Tjetër çështje e rëndësishme është ajo e despiunizimti të politikës shqiptare. Ngritja e ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të shtetit në të gjitha majat e piramidës shtetërore kërkon një reflektim nga ana e këtij kuvendit. Ne kemi depozituar 2 nisma ligjore dhe kërkojmë edhe mbështetjen e opozitës. E para ka të bëjë me një barrierë artificiale për verifikimin e atyre që janë verifikuar më parë në komisionet e mëparshme. Ne i mirëpresim propozimet e ardhura nga opozita por duhet të negociojmë. Unë mendoj që është në nderin a saj se çfarë përfaqëson PD që të na mbështesë, sigurisht që edhe në mbështesim projektligjet që kanë ardhur nga ju duke gjetur një frymë konsensuale”- tha Balla, i vendosur edhe për rikthimin e ligjit për amnistinë fiskale.
Ndërkohë sesioni i ri parlamentar u hap nga kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla e cila pasi lexoi mesazhin e presidentit të Republikës, njoftoi për çështjet që do të diskutohen.
Sipas agjendës, seanca e parë plenare më shumë është teknike tepër e natyrës teknike, ku të pranishmit do të njihen për çështjet e depozituara në kuvend nga socialistët. Me anë të një projektligji, kërkohet dënimi i krimeve të së kaluarës duke vendosur në sitë të gjithë figurat publike pavarësisht nëse ata kanë një certifikatë të pastërtisë së figurës nga komisionet Mezini-Bezhani. Po ashtu kërkohet edhe ndërhyrja në Kodin Zgjedhor, në mënyrë që të gjithë ata politikanë që kanë pasur lidhje më ish-sigurimin e shtetit dhe strukturat e persekutimit komunist, të mos lejohen që të mbajnë apo të kandidojnë për poste publike.
Në kalendar janë përfshirë edhe nismat e PD për dekomunistizimin, deklasifikim të dosjeve të ish-sigurimit të shtetit si dhe kthimin e burgjeve të Spaçit dhe Tepelenës në muze.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje