Gazeta Si – Presidenti rus Vladimir Putin paralajmëroi për një krizë globale të ushqimit dhe tha se do të diskutonte ndryshimin e një marrëveshjeje historike të grurit me Ukrainën për të kufizuar vendet që mund të marrin dërgesat e mallrave.
Duke folur në Forumin Ekonomik Lindor në qytetin rus të Paqësorit, Vladivostok, Putin tha se Moska kishte bërë gjithçka që mundej për të siguruar që Ukraina të ishte në gjendje të eksportonte drithërat e saj, por problemet në tregun global të ushqimit ka të ngjarë të intensifikohen dhe se një katastrofë humanitare po afrohej.
“Nëse e përjashtojmë Turqinë si një vend ndërmjetës, atëherë pothuajse i gjithë drithi i eksportuar nga Ukraina nuk dërgohet në vendet më të varfra, por në vendet e Bashkimit Evropian. Edhe një herë, vendet në zhvillim thjesht janë mashtruar dhe vazhdojnë të mashtrohen. Është e qartë se me këtë qasje, shkalla e problemeve ushqimore në botë vetëm do të rritet gjë që mund të çojë në një katastrofë humanitare të paprecedentë”, është shprehur Putin.
Kreu i Kremlinit u shpreh se dy nga 87 anije, me 60,000 ton produkte, shkuan në vendet e varfra dhe akuzoi Perëndimin se vepron si shtete koloniale dhe vendet e pasura perëndimore që po përfitonin nga marrëveshja. Gjatë fjalimit ai u shpreh se do të shikojë “kufizimin e destinacioneve për eksportet e grurit dhe ushqimeve të tjera” dhe do të diskutojë idenë me presidentin e Turqisë, Tajip Erdogan.
Presidenti rus paralajmëroi Perëndimin se ka minuar ekonominë globale me atë që ai e quajti një përpjekje të kotë dhe agresive për të imponuar hegjemoninë e saj, duke vënë në dukje se Azia është e ardhmja.
“Pas pandemisë, erdhën sfida të ndryshme që gjithashtu kanë qenë të natyrës globale dhe përbëjnë rrezik për të gjithë botën. E kam fjalën për ethet e sanksioneve të Perëndimit. Përpjekjet e tij të pacipë dhe agresive për të detyruar të tjerët se si të sillen, i privojnë ata nga sovraniteti dhe i detyrojë të nënshtrohen. Nuk ka asgjë të pazakontë në lidhje me këtë. Kjo politikë është përdorur nga Perëndimi për dekada të tëra”, ka thënë ai.
Duke vijuar sulmet e tij ndaj krerëve perëndimorë, Putin theksoi se do të ndalojë furnizimin nga Rusia me gaz dhe naftë nëse do të vendosen çmime tavan.
Sipas liderit rus, “ekonomia ruse do të tkurret me 2-2.5 për qind këtë vit” dhe paralajmëroi se Rusia “nuk do të respektojë kontratat e naftës dhe gazit” nëse ka kufij çmimesh, të tilla si ato që Evropa dhe G7 planifikojnë të aktivizojnë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje