Politike

Begaj: Sulmet kibernetike, dëshmi e kërcënimeve të rrezikshme nga aktorët e tretë

Presidenti Bajram Begaj po merr pjesë në Takimin e Liderëve të Procesit të Brdo-Brijunit, që po mbahet në Brdo të Sllovenisë, në të cilin marrin pjesë të gjithë Krerët e Shteteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në fjalën e tij, presidenti Begaj është shprehur se zgjerimi i Bashkimit Europian me vendet e Ballkanit Perëndimor është çështje gjeostrategjike për sigurinë dhe paqen.

Presidenti Begaj foli edhe për sulmet e fundit kibernetike, të cilat i konsideroi si dëshmi e kërcënimeve të rrezikshme nga aktorët e tretë për paqen dhe stabilitetin e rajonit.

“Lufta në Ukrainë është një pikë kthese për qasjen e BE-së ndaj integrimit të Ballkanit Perëndimor.  Agresioni rus, paqja dhe siguria s’mund të merren si të mirëqena. Lufta në Ukrainë po riformëson skenën ndërkombëtare gjeo-politike dhe gjeo-ekonomike”, tha ndër të tjera Begaj.

Të pranishëm në këtë samit janë edhe presidenti slloven Borut Pahor, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, i Kroacisë, Zoran Millanoviq, si dhe anëtarët e presidencës trepalëshe të Bosnjës, Shefik Xhaferoviç, Millorad Dodik dhe Zhelko Komshiç.

Samiti i Procesit Brdo-Brijunit do të ketë në fokus situatën aktuale në Ballkanin Perëndimor dhe për t’iu bërë thirrje anëtarëve dhe institucioneve të Bashkimit Europian që të përshpejtojnë procesin e zgjerimit. Procesi i Brdo-Brijunit është një nismë sllovene-kroate, e ndërmarrë në vitin 2010 nga Pahor, aso kohe kryeministër i Sllovenisë. Qëllimi i saj është forcimi i besimit të ndërsjellë në Ballkanin Perëndimor, bashkëpunimi rajonal dhe integrimi më i shpejtë i këtij rajoni në BE.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë