Samiti Bërdo-Brioni i liderëve të Ballkanit Perëndimor nuk arriti të dilte me deklaratën e zakonshme të përbashkët për shkak të kundërshtimeve të dy anëtarëve të presidencës boshnjake Shefik Xhaferoviç dhe Zhelko Komshiç.
Të dy u ankuan për pjesën e deklaratës që i referohej kërkesave të kroatëve për ndryshimet e ligjit zgjedhor përpara zgjedhjeve të përgjithshme të tetorit.
Kohët e fundit kroatët në Bosnje dhe Hercegovinë rinovuan kërkesat e tyre për t’u lejuar të votojnë për përfaqësuesit e vetëm kroat në entitetin e federatës së përbërë nga boshnjako-kroatët, duke e quajtur kërkesën e tyre përfaqësim legjitim.
Në samit Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, i bëri thirrje Bashkimit Europian që t’i ofrojë Kosovës liberalizimin e vizave, ndërsa Bosnje e Hercegovinës statusin e shtetit kandidat deri në fund të vitit 2022.
Pahor tha se me udhëheqësit e vendeve të rajonit është rënë dakord që bisedimet të jenë mënyra e vetme për zgjidhjen e çështjeve të hapura.
“Samiti u mbyll me sukses për dy arsye: diskutimet kanë qenë mjaft të mira dhe kemi këmbëngulur që të jemi më të bashkuar. Ka disa gjëra që na ndajnë, por duhet të kuptojmë se ku janë këto dallime”, deklaroi Pahor, duke mos dhënë shumë detaje, por duke thënë se besimi midis vendeve nuk është në nivelin më të lartë të mundshëm.
Në konkluzionet e miratuara theksohet edhe rëndësia e zgjerimit të BE-së me vendet e mbetura të Ballkanit Perëndimor.
Përveç Pahorit, aty morën pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, i Kroacisë, Zoran Millanoviç, si dhe anëtarët e presidencës trepalëshe të Bosnjës, Shefik Xhaferoviç, Millorad Dodik dhe Zhelko Komshiç.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje