Gazeta Si- Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka dhënë një mesazh pak para nisjes së protestës tek inceneratori i Tiranës.
Ai i bëri thirrje SPAK para mediave që të hetojë “monumentin e korrupsionit”, sic e quan ai.
“Cdo qytetar qe vjen është një zë i fuqishëm për ti thënë SPAK-ut boll me drejtësinë me regji. Boll burgosët fukarenj, se nuk paguajnë një faturë me drita. Ja ku e keni monumentin e korrupsionit”, tha Meta.
Ndërsa është pyetur nëse do ti bashkohet Berisha protestës, Meta tha se të gjithë janë të mirëpritur.
“Jeni të gjithë të mirëpritur. Faleminderit që keni ardhur”, duke anashkaluar pyetjen për Berishën. Ndërkohë para pak minutash Sali Berisha ka postuar në Facebook një foto nga takimi me kandidatët për Forumin Rinor të Partisë Demokratike.
Ndërkohë Briseida Shehaj ka thënë se dokumentet e faktet janë rruga e vetme që kanë mbledhur. “Kemi të bëjmë me një organizatë kriminale që zgjatët nga fillimi në fund”.
“Kemi treguar me fakte si janë marrë kredi në banka, si prona publike është lënë peng në banka për të blerë makina, ndërsa investimi këtu është zero. Paratë nuk përdoren për të ndërtuar inceneratorin”, ka thënë Shehaj e cila shton se do bëjnë publike kontratën që lidh Inceneratorin e Tiranës me kompaninë e Klodian Zotos.
Protesta ka përfunduar pas më shumë se një ore. Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ishte i fundit që foli, me tone të forta, nga protesta para Inceneratorit të Tiranës ku i bëri thirrje SPAK që të nisë hetimet për këtë aferë.
“U bënë 558 ditë të denoncimit zyrtar për këtë aferë kriminale dhe drejtësia nuk vepron. Jemi këtu për të treguar me gisht këtë vend krimi, që SPAK ta heqë atë shaminë që i ka vënë Rama para syve. Të zbatojë ligjin dhe të bëjë detyrën. Të çojë hajdutët dhe rilindasit pas hekurave”, tha ai.
Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta u shpreh se ka një koordinim mes SPAK dhe Rilindjes për të blerë zgjedhjet e ardhshme.
“Vetëm udhëtime kanë deklaruar në vitin e pandemisë 600 mijë euro si investim për Inceneratorin që nuk ekziston. Forca politike e PL dhe ish LSI e ka denoncuar në 4 mars 2021 këtë aferë, dhe ende sot SPAK justifikohet se janë në hetime paraprake. Kështu kuptohet një veprim i diktuar nga kongresi i partisë.
“Ishte megafirma e Velisë që i dha jetë kësaj vepre korruptive pa mbledhur Këshillin Bashkiak. Me atë firmë futi në borxhe qytetarët e Tiranës për 30 vite për mafian e inceneratorëve që të blejnë votat, ekranet dhe analistët shpirt shitur për të vrarë shpresën për ndryshim.
Është e qartë se ka një koordinim perfekt midis rilindjes e SPAK që të blihen zgjedhjet e vendore”, tha Meta.
Meta gjithashtu i bëri thirrje administratës që mos të përdoret nga kryeministri Rama.
Në përfundim të fjalimit të tij, Meta deklaroi se do të shkojnë përsëri aty dhe “do të shkojmë në çdo skenë krimi për t’u bërë të qartë të gjithëve se nuk do të shpëtojnë”.
Edmond Spaho ishte i vetmi përfaqësues i Rithemelimit të Partisë Demokratike i cili foli në protest.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje