Politike

Pollo: PD të bëjë transparencë për 500 mijë dollarët financime të Rusisë në kohën e Bashës, audit i plotë i çështjes

Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike Genc Pollo kërkon transparencë për 500 mijë dollarët, financimet e Rusisë për PD-në në 2017, referuar deklaratave të një zyrtari të lartë amerikan, që një natë më parë u publikua nga Zëri i Amerikës.

“Si deputet i zgjedhur në vitin 2017 i kam besuar shpjegimeve publike të asokohe kryetarit Lulzim Basha se në asnjë mënyrë burimi i financimit nuk ka qenë Rusia ose të tjera shtete apo organizata jo miqësore me Shqipërinë (fatkeqësisht organeve partiake nuk ju paraqit siç parashikon statuti raporti financiar vjetor që mund të hidhte dritë mbi detajet e këtyre pagesave). Këto financime kanë ndodhur jashtë buxhetit zyrtar te partisë dhe kanë përdorur guackat fiskale jashtë vendit tonë. Këtu mund të kemi të bëjmë me parregullsi administrative e ligjore; mbase edhe me shkelje penale.
Por sot nuk kemi thjesht këto probleme të cilat mbeten pjesërisht të pazgjidhura”,  thotw Pollo.

Sipas tij, sot kemi të bëjmë me pohime zyrtare amerikane se Basha mori financime në vitin 2017 nga një shtet atëherë jomiqësor dhe sot, me agresionin e përgjakshëm kundër Ukrainës dhe rendit ndërkombëtar, një shtet armik.

“PDSh si partia që historikisht rrëzoi komunizmin dhe e orientoi Shqipërinë drejt Europës e Perëndimit nuk ka asnjë arsye të mbajë të tilla njolla, hije apo dyshime.

Prandaj do të propozoj zyrtarisht që udhëheqja aktuale, përfshi kryetarin Berisha e Sekretarin e Përgjithshëm Noka të ndërmarrin një audit të plotë të çështjes të drejtuar nga një Komision i Posaçëm. Raporti i auditimit duhet t’u prezantohet Kryesisë, Këshillit Kombëtar, Grupit Parlamentar si dhe të publikohet në websitin e partisë.

Unë jam i ndërgjegjshëm se situata është komplekse: për shkak të ndërlikimeve gjyqësore një sërë tagrash nga aksesi në llogaritë bankare deri tek websiti i partisë janë ende të kontrolluara nga Basha e njerëzit e tij. Gjithashtu çfarëdo informacioni amerikan të marrë qeveria Rama mendoj se nuk do përdorë në interesin shtetëror por për të dëmtuar opozitën edhe tashti që Basha ka ikur. E ka provuar këtë edhe duke keqpërdorur ndërkombëtarë të caktuar”, deklaron Pollo.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë