Kryetari i PD-së, Sali Berisha u ndal gjatë në konferencën e përjavshme për shtyp në debatin e fundit për PD-në lidhur me financimet e fshehta ruse në vitin 2017 në kohën kur kryetar ishte Lulzim Basha. Berisha mbajti qëndrimin e tij bazuar në ato që ai i cilesoi si informacione te siguruara shumë kohë më vonë.
Berisha nuk permendi burimin e këtyre informacioneve dhe nuk sqaroi se nga i kishte siguruar.
“Në vitin 2018, ambasadori Lu më solli një dosje me shkrimin e portalit Mother Jones. Në dosje, përveç artikullit të revistës dhe një flete se Nick Muzin ishte i regjistruar si lobist i Bashës, nuk kishte asnjë dokument tjetër.
Lulzim Basha, i pyetur nga unë, më deklaroi se paratë e paguara për Nick Muzin, janë para të mbledhura në përputhje me rregullat në diasporën shqiptare në SHBA dhe se artikulli nuk ka asgjë të vërtetë.
Midis artikullit të gazetës dhe shpjegimit të Bashës, unë kam besuar variantin e këtij të fundit. Më vonë jam vënë në dijeni të faktit se Basha mbahej peng me dosjen Muzin, dhe se çeshtja ndaj tij u mbyll në gjykatë me ndërhyrje të Agaçit, ku prokurori duke shkelur ligjin, nuk bëri rekurs në Gjykatën e Lartë, në kundërshtim flagrant me ligjin. Këtë e kam denoncuar si akt nga foltorja në foltore”, tha Berisha.
I nxitur nga insistimi i medias për çeshtjen në fjalë, Berisha përforëcoi qëndrimin e tij.
“Unë në atë kohë midis artikullit të gazetës mother jons dhe asaj që më betohej Lulzim Basha, i besoja Lulzim Bashës. Mua filluan të më informojnë emigrantët shqiptarë nga diaspora dhe këtë e kam deklaruar në foltore. Ka qenë fillimi i këtij viti ose pak më vonë. Më parë nuk e kam ditur. Kur më erdhën njoftime se nuk janë paguar para nga diaspora atëherë mendova se dhe ky më ka mashtruar mua. Unë sapo e mora vesh, krijova një fond informacioni të nevojshëm dhe unë e denoncova për dosjen ruse. Kjo daton 6 muaj përpara. Nuk kam folur për dosjen ruse derisa i kam verifikuar”, tha Berisha.
“Të bëjmë transparencën, pastaj natyrisht që qëndrimet do të përshtaten, do të mbahen, por transparenca është e domosdoshme. Ai sot sot citohet nga Mother Jons për takime me ambasadorin rus. Po ka artikull të gjate kushtuar Bashës. Në fakt të themi të vërtetën ata dy gazetarë kanë meritë të veçante sepse e botuan para shërbimeve”, vijoi ai.
Më tej, ish-kryeministri tha:
“Më vonë jam informuar se Basha kishte mashtruar dhe nuk kishte bërë mbledhje fondesh në diasporë.
Pas këtyre informacioneve, burimi i parave mund të ishte rus, siç thoshte revista.
Bazuar në këto informacione, më 4 prill të vitit 2022, kam denoncuar para jush financimin rus të Lulzim Bashës dhe mbylljen e dosjes nga Edi Rama.
Rikthimi i kësaj çështje, provon atë që kam denoncuar disa herë, provon se Basha është mbajtur peng me këtë dosje dhe duhet të japë përgjigje për origjinën e këtyre parave”.
Berisha nënvizoi se nga informacionet paraprake që ai ka, nga fondet që Biniatta ka dorëzuar te Nick Muzin, nuk kanë kaluar asnjë prej tyre nga arka e PD-së dhe fondet e PD-së.
“Për këtë arsye, përgjegjësia nuk është e PD, por është individuale e Lulzim Bashës dhe atyre që janë përfshirë në këto sanksione. Duke u distancuar nga kjo aferë kryekëput e ish-kryetarit të PD, dhe duke u zotuar se do të ngrejë një komision auditi për të bërë transparencën e plotë, kërkojmë hapjen e një hetimi të plotë për të larguar çdo dyshim që lidh PD-në me dosjen ruse”.
Berisha tha gjithashtu se Vladimir Putin dhe Rusia janë rrezik madhor për paqen dhe stabilitetin në Europë
“PD si parti e interesit kombëtar të shqiptarëve është forca e parë që ka kërkuar anëtarësimin në NATO. E ka bërë këtë, në një kohë kur të tjerët nuk kanë arritur ta bëjnë.
PD në qeveri, është ndër vendet më të para që ka firmosur partneritetin për paqen me NATO-n, në kundërshtim me interesat strategjike të Rusisë.
PD është forca që ka vendosur vendin në dispozicion për manovrat e NATO-s dhe SHBA. Në det, ajër dhe tokë. Ndërkohë që PS sillte rezoluta në parlament kundër bashkëpunimit dhe anëtarësimit në NATO.
PD në qeveri është forca që kundër interesave strategjike ruse, anëtarësoi Shqipërinë në NATO.
PD në qeveri, duke kundërshtuar interesat madhore strategjike ruse, dha një kontribut historik me rolin e saj në projektin e gazsjellësit TAP, duke mos u joshur nga asnjë presion. Ajo mbështeti, loboi për TAP, duke parandaluar kështu pushtimit të korridorit të jugut të Europës nga gazi rus.
Në organizatat ndërkombëtare, PD në qeveri ka mbështetur çdo rezolutë të SHBA dhe NATO për sigurinë në botë…”, tha ai
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje