Politike

Takimi me ambasadoren Kim, Alibeaj fokusohet tek nisja e sesionit të ri parlamentar, Balla tek fondet ruse

Enkelejd Alibeaj dhe Taulant Balla  zhvilluan takime të veçanta me ambasadoren amerikane, Yuri Kim, të premten në kryesinë e Kuvendit.

Secili prej tyre postoi në Facebook temat e diskutimit., ku vëmendja ishte e ndryshme.  

“Nisja e sezonit të ri parlamentar dhe sfidat e reja gjatë kësaj periudhe ishin në qendër të bisedës. Disa nga çështjet kryesore ishin përmirësimi i legjislacionit në fuqi, reforma administrative – territoriale dhe ecuria e Grupit Parlamentar të PD-së.

E falenderova zonjën Kim për mbështetjen që SHBA i ka dhënë Shqipërisë në përballjen me sulmin kibernetik të Iranit.

E sigurova se PD i është mirënjohëse ShBA-ve që përgjatë gjithë historisë së re dhe të vjetër të vendit tonë, ka patur mbështetjen e vazhdueshme të Amerikës!”, komentoi Alibeaj, i cili nuik përmendi debatin e ditës që lidhet me financimet ruse për të cilat akuzohet ish-kryetari i PD-së, Lulzim Basha, në krah të të cilit është rreshtuar prej kohësh edhe Alibeaj.

Ndërsa Taulant Balla e përmendi si debat kur siguroi përmes një komenti në Facebook se  bashkëpunimi me SHBA do të vijojë “edhe në përmirësimin e kuadrit ligjor për financimin e partive politike dhe fushatave zgjedhore”.

“Rusia është e përfshirë prej kohësh në sulmet ndaj demokracisë në shumë vende përmes financimit të partive politike dhe aktorëve të tjerë. Kujtoj se Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar në dhjetor 2019 një Rezolutë “Për ndërhyrjet e huaja në proceset zgjedhore dhe dezinformimin në proceset demokratike kombëtare”, duke i’u referuar pikërisht këtyre kërcënimeve dhe duke u kërkuar institucioneve marrjen e të gjitha masave mbrojtëse dhe parandaluese”, shkruan Balla.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë