Bota

Tragjedi në Kinë në autobusin e karantinës, 27 të vdekur. Akuza kundër politikës ‘zero Covid’

Gazeta Si – Pandemia dhe “Toleranca Zero” e Kinës për infeksionet me Covid-19, kanë shkaktuar viktimat e tyre anësore: 27 persona vdiqën dhe 20 të tjerë u plagosën në një autobus të përdorur për të sjellë një grup banorësh të provincës Guizhou.

Automjeti u përmbys pak pas dy të mëngjesit të së dielës, në një zonë të izoluar në malet e prefekturës Qiannan.

Autoritetet lokale raportuan se ai ishte i ngarkuar me njerëz të dërguar në “një vend ku ata do të ishin karantinuar për shkak të epidemisë”.

Nuk u komunikua nëse ishin pozitivë për koronavirus, apo kontakte të rasteve të konfirmuara, apo banorë të thjeshtë të një zone, ku është evidentuar ndonjë rast.

Këto janë arsyet që çojnë në izolim, pa apel, pa tampon dhe në përputhje me linjën “zero dinamike”, nga e cila qeveria qendrore nuk dëshiron të heqë dorë, pavarësisht polemikës mbi bllokimet e vendosura ndaj miliona kinezëve edhe tani që pjesa tjetër e botës po jeton me pasojat e pandemisë dhe po i përballon me vaksina.

Ndërkohë polemikat kanë shpërthyer në internet: mes gjashtë milionë banorëve të provincës jugperëndimore të Guizhou, rreth 900 raste janë zbuluar në tre ditët e fundit, një e treta e atyre në të gjithë Kinën.

Postimet e mediave sociale po vlojnë nga zemërimi dhe hidhërimi, sepse në pandeminë trevjeçare, pati vetëm dy vdekje zyrtare nga Covid në Guizhou, ndërsa fatkeqësia rrugore e së dielës vrau 27 njerëz.

“Ne jemi të gjithë në atë autobus”, “Tjetri mund të jetë i yni”, shkruan protestuesit e linjës Parti-Shtet në Ëeibo.

Një grua që pretendon se është vajza e njërës prej viktimave të autobusit shkroi: “Nëna ime kishte qëndruar në shtëpi që nga fillimi i shtatorit, ajo nuk kishte shkuar askund, përveçse të merrte tamponin e përshkruar nga autoritetet, por unë erdha papritmas për ta marrë dhe atë e ngarkuan në autobusin e karantinës”.

Një tjetër qytetar kujtoi eksperiencën e tij të evakuimit në një qendër karantine: “Dymbëdhjetë orë transport, të shtrënguar pranë njëri-tjetrit, pa mundur të zbresin për të shkuar në tualet, pa hapur dritaret apo kondicionerët deri në mbërritje”.

Një foto e bërë nga automjeti para se të përmbysej u bë virale, duke treguar njerëz me kostume të bardha sanitare.

“Po, të gjithë rrezikojmë të përfundojmë në një autobus kaq të trishtuar dhe të frikshëm”, lexohej në një tjetër postim. Censura ndërhyri duke fshirë të gjitha referencat në hashtag #BusGuizhou.

Pas disa orësh, qeveria provinciale, pranoi se “ka mësime për të nxjerrë nga ajo që ndodhi gjatë natës, është e nevojshme të shqyrtohen kushtet e karantinës dhe transportit të njerëzve, si dhe ato të sigurisë rrugore”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë