Kryetari i grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj pranon se PD ka vuajtur nga mungesa e besueshmërisë. Kjo është çështja e parë që, sipas tij, grupi parlamentar duhet të korrigjojë me qëndrime të qarta, të drejta dhe në interes publik. Por jo vetëm.
Ka edhe diçka tjetër që demokratët e përfaqësuar nga Enkelejd Alibeaj e dinë se duhet ta korrigjojnë: konfliktin e brendshëm.
Sipas tij, zgjedhjet lokale duket se janë një rast i mirë që palët të flasin për kandidatë të përbashkët.
Më poshtë një pjesë e shkëputur nga emisioni “Pa Censurë” në RTSH.
Enkelejd Alibeaj: Unë jam për të dalë me kandidatë të demokratëve.
Elona Meço: Qofshin këta edhe të zotit Berisha?
Enkelejd Alibeaj: Të heqim dorë nga etiketimi që janë të njërit apo të tjetrit. Pse të mos përdorim etiketën tjetër që është më e drejta, kandidatë të demokratëve. Me thënë të drejtën, mundësitë gjenden, por për të qenë të sinqertë, nuk varet vetëm nga ne.
Mënyrat janë të ndryshme, por kjo është një gjë që nuk është diskutuar ende.
Elona Meço: Dmth është një opsion që të dilni me kandidatë të përbashkët, pra me një kandidat?
Enkelejd Alibeaj: Unë, si deputet i PD, duke parë vetëm një kundërshtar që është Edi Rama, do të dëshiroja që të ndërgjegjësohemi të gjithë se ky është problemi kryesor i të sotmes dhe i së ardhmes së shqiptarëve.
Elona Meço: Zotin Berisha e quani një kundërshtar?
Enkelejd Alibeaj: Kundërshtari është ai i pushtetit. Kundërshtari i shqiptarëve është pushteti, është Edi Rama.
Elona Meço: Pra, duke qenë se nuk është kundërshtar, mund të jetë bashkëpunëtor?
Enkelejd Alibeaj: Jo, këtu duhet të jemi të qartë. Për ne do të ishte mirë që demokratëve në bazë t’u japim një kandidat të vetëm, që të përballet me kundërshtarin.
Elona Meço: Dakord, por çështja është se si.
Enkelejd Alibeaj: Para se të shkojmë tek “Si”, duhet të shohim a ka dëshirë apo jo, a ka vullnet apo jo? Kjo mbetet për t’u parë.
Elona Meço: Pra mund të tejkalohet “non grata” përballë kërkesës së demokratëve për të dalë me 1 kandidat të përbashkët?
Enkelejd Alibeaj: Tani, çështja e non gratës është një gjë e qartë, e debatuar gjerë e gjatë. Nga grupi parlamentar dhe deputetët është mbajtur një qëndrim, i kaluar tashmë. Ne po flasim për një çështje të re dhe një sfidë të re që po na vjen dhe që janë zgjedhjet lokale. Kemi një detyrim që t’i japim sinjal bazës se jemi të bashkuar, të dalim në mënyrë dinjitoze nga këto zgjedhje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje