Politike

PS një hap para në hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit  

Mazhoranca ka hedhur një hap para në kërkesën e Partisë Demokratike për të hapur dosjet e ish Sigurimit të Shtetit.

Kjo u konfirmua në mbledhjen e komisionit të Ligjeve ku deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj i drejtoi një pyetje konkrete ministres së Shtetit për Parlamentin, Elisa Spiropali lidhur me deklasifikimin e dosjeve të Sigurimit.

“Ne kemi paraqitur këtë amendament, përmbajtja e të cilit është shumë e thjeshtë. Pas 32 vitesh të rënies së komunizmit dhe bashkë me të edhe të sigurimit të shtetit, shoqëria shqiptare sot ka nevojë që të njohë të shkuarën e vet për shumë arsye për të parë se cilat kanë qenë konkretisht pasojat e këtij akti e sistemit diktatorial, posaçërisht vepër e sigurimit të shtetit. Por edhe për të hequr njëherë e përgjithmonë, atë që është psikoza e shantazhit që përdoret duke u bazuar te dosjet e sigurimit dhe që aplikohet pse jo edhe në politikë. Dhe nuk ka zgjidhje më të mirë kemi menduar ne për të hequr shantazhin sesa të deklasifikohen. Dhe kjo është një nga arsyet apo motivet që na ka shtyrë ne. Ka ardhur ky projekt i ri nga ana e qeverisë që synon të shfuqizojë ligjin në fuqi. Nuk shoh nga ana e qeverisë të keni trajtuar këtë çështje pra atë të deklasifikimit të dosjeve. Unë do doja të dija qëndrimin tuaj”, pyeti Alibeaj

Enkelejd Alibeaj ne komisionin e Ligjeve teksa i drejton pyetjen Elisa Spiropalit

Spiropali nga ana e saj tha se ata që i kanë shërbyer ish Sigurimit të shtetit, nuk duhet të jenë më pjesë e politikës.  Por a duhet të hapen të gjitha dosjet?

“Referuar propozimit tuaj, për deklasifikimin e dokumenteve që kanë lidhje me sigurimin e shtetit, me sa kuptoj nga opinioni që ka dhënë autoriteti nuk ka asgjë të keqe. Do ishte gjëja e duhur për tu bërë që të ketë deklasifikim por duke ruajtur diskrecionin e autorit, që kur identifikohen dokumentet që kanë lidhje me sigurinë kombëtare të mos deklasifikohen. Kjo duhet diskutuar për të rënë dakord. Janë pak çështje që ne biem dakord por Një çështje që kërkon pastrimin e politikës por edhe jetës publike nga njerëz që kanë ushtruar aktivitete të dëmshme dhe kriminal dhe atë kohë që kanë qenë pjesë e hiearkisë se sigurimit, të mos kenë më vend në politikë. Ne kemi disa propozime tona në ligje të tjera, kodin zgjedhor, ligjin për autoritetin nga nevoja që ka lindur dhe nga kërkesa e autoritetit për të hequr pengesa për verifikimet e mëparshme. Do ta bëjmë si element të vullnetit tonë të fortë për tu ndarë njëherë e mirë nga e shkuara”, tha Spiropali.

Nisma për hapjen e dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit është depozituar në Kuvend nga 17 deputetë të Partisë Demokratike para nisjes së këtij sesioni të ri parlamentar. 


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë