Gazeta Si – Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, është shprehur se protestat do të nisin shumë shpejt për të rrëzuar qeverinë e korruptuar të Edi Ramës siç tha ai.
Në një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale, kreu i PD-së ka shtuar se “protestat dhe grevat do të jenë rrugët për të rikthyer në Shqipëri shpresën dhe votën e lirë”.
“E vërteta është se polarizimi në këtë vend po rritet me shpejtësi dhe shtresa e mesme po shkon drejt asgjësimit, të varfrit po bëhen gjithnjë e më të varfër. Edi Rama, votën nuk e pranon dhe gjithë ky zhvillim dramatik, kjo përmbysje në përbërjen e shtresave të shoqërisë sonë, ka si shkak më themelor, mospranimin e votës nga Edi Rama. Protesta janë rruga për të cilat është përcaktuar Fronti për Shpëtimin e Shqipërisë, – tha Berisha. – Ju garantoj se do të fillojnë shumë shpejt. Mund të jenë shtyrë, por edhe shtyrja e tyre bëhet për shumë aspekte, e padurueshme”.
Ai shtoi se protestat e gjithanshme do jenë rrugë për të rikthyer në Shqipëri, shpresën, votën e lirë dhe për të dalë nga ky regjim autokrat, “sot i vetmi në Europë pas atij të Putinit dhe Lukashenkos”.
Berisha ripërsëriti qëndrimin e tij kundër projektit per ndërtimin e hidrocentralit te Skavicës, nga kompania amerikane Bechtel.
“Institucionet e këtij vendi janë në dorë të një njeriu. Shqipëria është diktaturë e një partie. Çdo pushtet në këtë vend, buron nga PS. Kështu që ideja e kundërshtimit institucional të Skavicës është për fat të keq, fiktive. Kundërshtimi i vetëm është popullor. Qytetarët e Dibrës dhe mbarë shqiptarët, nuk duhet të lejojnë Edi Ramën që të zhdukën 40 fshatra të luginës së Drinit, pjesës më pjellore të Dibrës. Këtu mbetet një mobilizim popullor që asnjë kompani mund të mendojë se mund të ndëshkojë Dibrën me projekte të Enver Hoxhës, të zbatuar nga pasardhësi i tij, Edi Rama”, u shpreh Berisha.
Berisha deklaroi nga zyra e tij se të hënën Këshilli Kombëtar i PD miraton udhëzimin për zgjedhjet sipas primareve.
“Pra, primaret për kryetarët e bashkive do kenë kuadrin ligjor të gatshëm ditën e hënë. Kjo është një ngjarje e madhe për PD-në, sepse përmes primareve, shtrijmë pluralitetin drejt partisë”, theksoi ish-kryeministri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje