Gazeta Si – Në fjalimin e tij në Sesionin e 77 të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, kryeministri Rama i doli në mbrojtje Kosovës, ish-presidentit Hashim Thaçi, dënoi luftën e Rusisë në Ukrainë dhe mbështeti Ballkanin e Hapur.
Ai foli edhe për sulmin kibernetik të Iranit ndaj sistemeve digjitale të qeverisë shqiptare, duke i kërkuar OKB-së të luftojë krimet e këtij lloji.
Rama dënoi raportin e Dick Marty-t për krimet e pretenduara të trafikimit të organeve gjatë luftës në Kosovë, për të cilat sot qëndron në burg ish-Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe të tjerë ish-zyrtarë e ish-luftëtarë të UÇK-së.
Gjatë fjalimit Rama kërkoi nga Kombet e Bashkuara që të pranojnë kërkesën e Shqipërisë për të pasur një tjetër raport dhe për të mos akuzuar pa prova ish-luftëtarët e UÇK-së, të cilët ende sot janë prapa hekurave dhe po gjykohen në Hagë.

“Sa përmendet Ballkani vë bast që në mendjen e gjithkujt vijnë imazhet e luftërave të përgjakshme. Drejtësia qëndron në themelet e çdo përpjekje për një paqe afatgjatë, por drejtësia shërbehet me prova, dhe jo me trille. Dhe nuk mundet të mos ndaj një shembull të tmerrshëm. Në vitin 2011 Asambleja Parlamentare e KiE miratoi një raport përpiluar nga Dick Marty, ku akuzohet UÇK për krimin e neveritshëm të trafikimit të organeve, – tha Rama. – Martyn duhej të ishte paguar si tregimtar, por kurrë të besohej. Raporti i tij ishte tronditës. U shndërrua në faktorin kyç të ushqimit të idesë dhe ngritjes së dhomave të specializuara të gjykatës për Kosovën. Çdo përpjekje hetimore u bë gjatë këtyre 11 viteve të gjata për t’i vërtetuar këto akuza. Por më kot. Asgjë”.
Kryeminisri shqiptar tha se asnjë grim prove a treguesi nuk u gjend askund që kishte të bënte me trafikimin e pretenduar të organeve.
“E megjithatë, dhomat e specializuara kanë arrestuar pa padi Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi. Ai priti një vit në burgim deri sa u akuzua zyrtarisht. As edhe një fjalë e vetme e gjithë aktakuzës nuk ka të bëjë me raportin e KiE për krimin e pretenduar të trafikimit të organeve. Një fantazi e tërë. Asnjë fjalë e vetme nuk është vërtetuar nga aktakuza është një dështim monumental dhe nuk ka të bëjë me procedurat e gjykatës, ka të bëjë me njollosjen e historisë së një vendi”.

Ballkani i Hapur dhe kërkesa e palëkundur për njohjen e Kosovës
Nismën rajonale Ballkani i Hapur, kryeministri Rama e shpalosi dhe gjatë fjalës së tij Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
Ai deklaroi se pavarësisht forcimit të marrëdhënieve me Serbinë, Shqipëria nuk lëviz asnjë centimetër nga qëndrimi për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Rama shtoi se në këtë nismë mund të përfshihen edhe vende të Ballkanit si Turqia dhe Greqia.
“Ne në Shqipëri e kemi kuptuar që mënyra më e mirë për të ecur larg është të ecim së bashku.Kjo na bëri bashkë me RMV dhe Serbinë për të krijuar nismën e Ballkanit të Hapur, një platformë e hapur për të gjithë vendet e Kosovës, jo vetëm ne të tre, Malin e Zi, Kosovën, Bosnjen, Turqinë dhe Greqinë e më tej. Një investim për gjithkënd.
Mesazhi më i mirë i Ballkanit të Hapur është se nuk duhet të biet dakord për gjithçka për të lënë pas të shkuarën e errët. Duke gjetur gjithmonë arsye të mira për të zgjidhur mosmarrëveshjet.
Duke forcuar marrëdhëniet e saj me Serbinë, Shqipëria nuk lëviz asnjë cm nga qëndrimi i saj për të mbështetur çdo vend për të njohur Republikën e Kosovës.
Është koha që Kosova dhe Serbia të lëvizin në dialogun mes tyre drejt një marrëveshje gjithëpërfshirëse të mbështetur nga BE dhe SHBA. Mbetem i bindur që Ballkani i Hapur do të lehtësojë këtë proces për të mirë të të gjithëve, shqiptarëve dhe serbëve”.

Dënimi ndaj agresionir rus
Gjatë fjalës së mbajtur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB dënoi agresionin rus në Ukrainë.
Duke e cilësuar një sulm të drejtpërdrejtë mbi arkitekturën e sigurisë evropiane, Rama kërkoi reagim edhe më të fortë.
“Për fat të keq këtë vit shpresat dhe besimet tona janë coptuar hidhur, e garancitë tona janë shkelur nga një luftë e para menduar në një luftë në kontinetin Evropian. Agresioni mizor i Rusisë ndaj fqinjit të saj Ukrainës. Sulmi nuk është vetëm ndaj Ukrainës dhe popullit të saj është një sulm brutal ndaj arkitekturës së sigurisë evropiane, e kartës së OKB-së. Është një betejë e hapur mes një tiranie cinike të vjetëruar dhe një demokracie në lulëzim”, – u shpreh shefi i qeverisë.
Sulmi kibernetik nga Irani
Në temën për sulmin kibernetik nga Irani, Kryeministri u bëri thirrje vendeve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara që të përqëndrojnë vëmendjen dhe të investojnë në sigurinë kibernetike.
“Në një kohë kur një mori krizash kanë zhytur botën në trazira, do doja t’i kërkojë Asamblesë të përqëndrojë vëmendjen në një çështje tjetër, për ndikimin mbi paqe e sigurinë që është siguria kibernetike. Shqipëria qe objekt i një sulmi masiv kibernetik. E gjithë infrastruktura qeveritare u gjend nën një sulm me qëllimin e qartë për ta shkatërruar atë. Një hetim i thelluar i kryer me ekspertizën më të mirë botërore ka konfirmuar që sulmi që donte të gjunjëzonte një vend sovran ishte agresion i orkestruar nga Irani. Kësisoj qeveria shqiptare nuk pati asnjë zgjedhje tjetër po vetëm të ndërpriste marrëdhëniet diplomatike me Iranin. Ne i bëjmë thirrje OKB-së të investohet në sigurinë kibernetike”, deklaroi kryeministri Edi Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje