Kryesia e PD-së vendosi të ngrejë një grup auditi lidhur me financimet e paligjshme ruse që mund të ketë përfituar kjo forcë politike në vitin 2017, kohe kur drejtohej nga Lulzim Basha
“Në mbledhjen e datës 26 Shtator 2022, kryesia e Partisë Demokratike me qëllim auditimin e përdorimit të të fondeve të Partisë Demokratike për çështjen Nik Muzin vendosi ngritjen e grupit të auditimit me përbërjen si më poshtë: Ledina Mandia – kryetare me anëtarë Florion Mima, Edmond Spaho, Enno Bozdo, Aldo Bumçi. Objekti i veprimtarisë së grupit të auditit është kontrolli, verifikimi, dhe bërja e transparencës së plotë lidhur me përdorimin ose jo të fondeve të Partisë Demokratike të Shqipërisë, me çfarëdolloj prejardhje, në aktivitete lobimi në periudhën përpara, gjatë dhe pas zgjedhjeve për kuvendin e datës 25.06.2017.
Grupi i auditit duhet të verifikojë në mënyrë të veçantë dhe të japë përgjigje të plotë lidhur me akuzat e bëra publike në media mbi përdorimin e fondeve me prejardhje të dyshimtë ose dhe të paligjshme për aktivitete lobimi në favor ish-kryetarit të Partisë Demokratike, Lulëzim Basha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjithashtu në mbledhjen e sotme kryesia miratoi rregulloren mbi modalitetet e përzgjedhjes së kandidatëve për zgjedhjet e pushtetit vendor.
Në rend dite ishte dhe u miratua gjithashtu kodi i sjelljes së mirë, etikës dhe integritetit ku përshkruhen vlerat dhe besimet themelore ku mbështetet dhe i promovon çdo anëtar i Partisë Demokratike”, tha pas mbledhjes së kryesisë, zëdhënësja e PD, Floriana Garo.
Pak ditë më parë, përmes një deklarate për mediat, Berisha u shpreh se duhet të largohet çdo dyshim që lidh Partinë Demokratike nga fondet ruse.
Për këtë arsye, sipas tij, duhet bërë një hetim i hollësishëm nga PD.
“Duke u zotuar se do të ngremë një komision auditi, për të bërë transparencën e plotë, çfarë është e mundur nga ne, kërkoj hapjen e një hetimi të plotë për të larguar çdo dyshim që lidh PD-në me fondet ruse. Në këtë rast, garantoj shqiptarët dhe partnerët e Shqipërisë, se Partia Demokratike, ka qenë, është dhe do të mbetet parti e interesit kombëtar, vokacionit, orientimit euro-atlantik të kombit shqiptar…”, tha ai
.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje