Politike

A po e kërcënon Meta Berishën me zgjedhjet lokale?

Takimi më i fundit i Ilir Metës me ambasadoren amerikane Yuri Kim në zyrat e Partisë së Lirisë, duket se i ka ndryshuar raportet e ish-presidentit me Sali Berishën.

“Ballafaqimi” mbi një orësh me diplomaten amerikane pas një “armiqësie” gjatë zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit të 2021, ishte zhvillimi më surprizues. Meta po synon ta shfrytëzojë atë në mënyrën maksimale më të mundshme. I ashtuquajturi “kingmaker” i LSI-së së dikurshme ka marrë një rol aktiv duke e këshilluar “pikën e tij më të dobët në politikë”, Berishën, që të mos nxitohet për primaret në Partinë Demokratike për caktimin e kandidatëve për zgjedhjet e ardhshme në lokale.

“Opozita duhet të paraqitet sa më e bashkuar. Kuptohet, në kushte të tjera, sa më shumë kandidatë për qytetarët, aq më mirë do të ishte”, deklaroi Meta në konferencën më të fundit për mediat.

Një sinjal i qartë që lëshohet ndaj Berishës, që synon që kandidatët të mos jenë vetëm domen i PD-së, por edhe i aleatëve. Beteja më e madhe në zgjedhje do të jetë për Tiranën. Aty ku Meta nuk e ka fshehur ambicien që të jetë kandidat i opozitës për kryetar bashkie dhe të sfidojë Erion Veliajn, i cili pritet të rikonfirmohet sërish si kandidat i socialistëve.

Sakaq Berisha ka dhënë mesazhe se nuk tërhiqet nga primaret pavarësisht se daljen me kandidatura konsensuale nuk po e kërkon vetëm Meta, por edhe aleatët më minorë të Berishës, si Duka, Mediu dhe Shehu.

Në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit, LSI nuk doli me kandidatë të saj, i hapi rrugë PD-së së Berishës për të konkurruar me 6 kandidatët. Ishte pikërisht LSI që mundësoi futjen në garë të Berishës në koalicionin “Shtëpia e Lirisë”. Bashkimi i tyre pati si rezultat mposhtjen e Bashës e zhdukjen e tij nga politika, si dhe fitimin e vetëm të një bashkie. Meta tani po kërkon që Berisha të mos ta harrojë këtë favor të madh politik që e rifuti ish-kryeministrin demokrat në lojë dhe e ligjëroi me pjesëmarrjen në zgjedhje. Në kushtet ku Berisha nuk njihet ende de jure nga gjykata, skema e 6 marsit pritet të përsëritet edhe kësaj here. Dhe Meta si pragmatist do të synojë që kandidatët e opozitës së bashkuar të jenë sa më shumë nga Partia e Lirisë.

“Fronti i shpëtimit” i shpallur nga Berisha mund të shpëtohet fillimisht nga Meta, i cili duket se ka guximin të dalë përballë ndërkombëtarëve duke bashkëpunuar me një politikan të shpallur “non grata” nga Amerika. Vetë Berisha e ka të qartë se nga aleatët e tij vetëm Meta ka vota me peshë në elektorat dhe një përçarje e tjetër opozitës veç do ta lehtësonte fitoren e socialistëve. Gara për zgjedhjet lokalet sapo ka nisur fillimisht si një betejë brenda opozitës për skemën dhe kandidatët. Por mbi të gjitha duhen parë zhvillimet nëse takimi mes Yuri Kim dhe Ilir Metës do ta frenojë një koalicion të tillë, në këmbim që ish-presidenti të shfaqet si lider i ri opozitës në betejat e ardhshme elektorale kundër Edi Ramës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë