Politike

Zgjedhjet në FRPD, Evi Kokalari ikën përfundimisht nga PD: S’merrem më me ju. Turp, vratë rininë dhe shpresën që kishin për një parti të rithemeluar

Nga Gazeta Si – Zhvillimet e fundit në Partinë Demokratike dhe sëfundmi zgjedhjet për Forumin Rinor të PD-së, duket se kanë shënuar ndarjen përfundimtare të Evi Kokalarit, aktivistes shqiptaro-amerikane, e cila deri para pak kohësh ishte një nga mbështetëset kryesore të Sali Berishës, sidomos gjatë Foltoreve të tij.

Në një seri postimesh në profilin e sa në Facebook, Kokalari që u zgjodh edhe në strukturat drejtuese të Komisionit të Rithemelimit të Berishës, ka deklaruar largimin nga partia. Ajo thotë se nuk mund të merret me atë kategori njerëzish. “Sot ju vratë rininë dhe çdo shpresë që ata kishin në një parti të rithemeluar. Turp kryesisë që e lejoj këtë masakër zgjedhore. Unë nuk merrem më me këtë nivel njerëzish. Qofshi të gjithë mirë”, shkruan Kokalari.

Madje ajo ka bërë publike edhe fakte, që sipas saj dëshmojnë manipulimin e rëndë të votimit të kryetarit të ri të FRPD-së.

Prej kohësh Kokalari ka ndjekur fushatën e të rinjve, ndërsa ka paralajmëruar për manipulim të votave. Më herët ajo ishte shprehur se deputetë e biznesmenë ishin vënë në lëvizje për Besart Xhaferrin, duke dekurajuar kandidatët e tjerë.

Besart Xhaferri ka arritur të sigurojë më shumë vota se pesë kandidatët e tjerë që ishin në garë. Ai ka arritur të sigurojë shumicën e votave, konkretisht 5256 vota, ndekur më pas nga Mariglend Doçi me 1292 vota.

Pak kohë më parë, Kokalari ka dalë hapur edhe kundër qëndrimit që Sali Berisha ka mbajtur në një prej mbledhjeve të Këshillit Kombëtar. Ajo pati kërkuar që ish-kryeministri të ishte i prerë mbi pikëpamjet e PD-së, nëse do të jetë parti konservatore apo e qendrës, pasi ndryshe “vetëm sa do përpiqej t’u bënte qejfin palëve brenda partisë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë