Politike

Berisha, kusht Bashës për zgjedhjet: Bëj transparencën e fondeve ruse

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha i pyetur nga mediat mbi  takimet e demokratëve që njihen si grupimi Basha apo Alibeaj, u shpreh se ka vetëm një kusht ndaj ish-kryedemokratit dhe lidhet me zbardhjen e fondeve ruse.

 “I vetmi koment që kam unë për Lulzim Bashën është të bëjë transparent problemin e fondeve ruse. Kjo është shumë serioze. E them në mënyrë të vendosur. Basha të bëjë transparent problemin e financimeve ruse. Kjo është shumë serioze. Ai duhet të shpjegojë këtë akt akuzë të rëndë, tërësisht personale, pasi është e faktuar se ajo nuk ka pasur lidhje me asnjë institucion në PD-së. Nuk ka hyrë në arkat e PD asnjë qindarkë. Ky është një kusht shumë i rëndësishëm”, tha Berisha një reagim për mediat përpara hyrjes në seancën parlamentare.

Sa i përket zgjedhjeve lokale, Berisha bëri të qartë se “këto ditë po konsultohemi me aleatët dhe do të përcaktojmë format se si do të dalim, ka mendime se duhet me kandidatë të përbashkët dhe unë e mbështes këtë mendim. Aleatët tanë janë i gjithë spektri i djathtë. Do të jetë koalicion i gjerë”.

Ndërsa nuk ngurroi që të bënte diversion dhe me socialistët, duke aluduar se tashmë në Partinë Socialiste nuk vendos Rama, por kryebashkiaku Erion Veliaj. “Veliaj, jo presion, por siç e shihni, e vërteta është që mbetet Rama të konfirmohet nga Veliaj. Le të kthehemi pak te beteja që nisi. Promovoi Ballukun si zgjedhjen e tij. Ballukun e degdisi në Dibër, Veliaj. Nuk ishte Rama që e çoi. Rama e solli për Tiranën, Ballukun”, theksoi Berisha.

Ai shtoi se procesi i përzgjedhjes së kandidatëve të opozitës për zgjedhjet vendore nuk do t’ ngjajë atyre të socialistëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë