Kryeministri i Federatës të Bosnjë e Hercegovinës, Fadil Novalliç, dhe Sllobodan Stanoviç, biznesmen i lidhur me liderin e serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, janë personat e fundit që Shtetet e Bashkuara kanë sanksionuar, duke i futur në listën e personave “non grata”.
Një vendim që vjen pas zgjedhjeve parlamentare që u mbajtën së fundmi në Bosnje-Hercegovine. Por e veçanta është Novaliç sipas SHBA-ve ka përdorur të dhënat e pensionistëve në zgjedhjet e shkuara të 4 viteve më parë. Te dy zyrtarët janë sanksionuar për shkak të minimit të institucioneve demokratike “për përfitime personale dhe për të shpërblyer rrjetet e tyre të patronazhit”.
“Novaliç përdori të dhënat e pensionistëve, që i kishte marrë përmes pozitës së tij zyrtare, dhe u dërgoi letra me një listë të arritjeve të tij duke premtuar rritje të pensioneve. Ky veprim shkel ligjet e Bosnjë e Hercegovinës dhe reflekton mbi veprimet e tij të përsëritura për të përdorur pozitën politike për përfitime personale apo të partisë së tij, duke minuar proceset demokratike apo institucionet e Bosnjë e Hercegovinës”, thuhet në njoftimin zyrtar të Departamentit amerikan të shtetit.
Mënyra e përdorimit të dhënave personale, në një sistem patronazhimi ishte pjesë e një debati të fortë në Shqipëri përpara zgjedhjeve parlamentare të 2021-shit. Sistemi patronazhit i ngritur nga Partia Socialiste kontrollonte të dhënat e mbi 900 mijë shqiptarëve, duke i përcaktuar edhe bindjet politike. Ky sistem që u quajt si skandal i opozitës, u mbrojt me forcë nga vetë kryesocialisti Edi Rama që i cilësoi si mëse normale dhe një praktikë e ndjekur edhe nga shtetet e tjera të botës demokratike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje