Bota

Mbytet varka me emigrantë në Greqi, dhjetëra viktima

Një tjetër tragjedi me emigrantë është regjistruar në brigjet greke, në orët e para të mëngjesit të së enjtes(6 tetor), pas mbytjes së varkës me të cilën udhëtonin.

Rojet bregdetare greke raportojnë se deri në këto momente kanë gjetur trupat e 16 personave, ndërkohë që vijojnë kërkimet për të tjerët, pasi mendohet se në varka kanë qenë më shumë se 40 persona.

Mësohet se në rrezik nga deti me dallgë ka qenë dhe një varkë tjetër në të cilën ndodheshin 95 persona nga të cilët janë lokalizuar 80 prej tyre.

Anija u mbyt në lindje të Lesbos, që shtrihet afër bregdetit të Turqisë.

Ministri grek i migracionit, Notis Mitarachi, i bëri thirrje Turqisë që të ndërmarrë “veprime të menjëhershme për të parandaluar të gjitha nisjet e parregullta për shkak të kushteve të vështira të motit.

“Tashmë sot ka shumë jetë të humbura në Egje, njerëz po mbyten në anije. BE-ja duhet të veprojë”, ka shkruar ai.

Në incidentin e mëparshëm, autoritetet greke shpëtuan 80 emigrantë anija e të cilëve u mbyt pasi goditi një zonë shkëmbore në ujërat e stuhishme pranë ishullit Kythira në Greqinë jugore të mërkurën. Sipas të shpëtuarve, 15 ishin ende të zhdukur dhe operacioni i kërkim-shpëtimit ishte ende në vazhdim.

Greqia ishte në vijën e parë të krizës europiane të migracionit në 2015 dhe 2016 , kur një milion refugjatë që ikën nga lufta dhe varfëria në Siri, Irak dhe Afganistan mbërritën në vend, kryesisht nëpërmjet Turqisë.

Numri i emigrantëve të ardhur ka rënë ndjeshëm që atëherë. Por autoritetet greke thonë se kohët e fundit kanë parë një rritje të mprehtë të përpjekjeve për hyrje përmes ishujve të vendit dhe kufirit tokësor me Turqinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë