Bota

Kriza e energjisë, Britania e Madhe paralajmëron tre orë në ditë pa drita

Mbretëria e Bashkuar mund të përballet me ndërprerje 3-orëshe të energjisë elektrike në ditë për shtëpitë dhe bizneset gjatë këtij dimri, raportojne mediat Al Jazeera dhe Sunday Times.

Orar i reduktimeve të energjisë mund të ndodhë nëse vendi nuk është në gjendje të importojë energji elektrike nga Evropa, ka paralajmëruar Rrjeti Kombëtar Britanik.

“Në rast të pamundësisë për të importuar energji, disa konsumatorë mund të mbesin pa energji elektrike në periudha të paracaktuara ditore, përgjithësisht kjo supozohet të jetë për ndërprerje 3-orëshe”, ka thënë Operatori Kombëtar i Sistemit të Rrjetit Elektrik (ESO).

Mungesa e gazit në Evropë, si dhe çështjet e mirëmbajtjes me disa termocentrale bërthamore franceze, kanë rritur rrezikun që Britania e Madhe mund të mos jetë në gjendje të sigurojë gazin që i nevojitet ose importet e energjisë elektrike që merr zakonisht nga vende si Franca, Belgjika dhe Holanda.

Ndërkohë, Liz Truss refuzoi të përjashtonte mundësinë e ndërprerjeve të energjisë këtë dimër pasi Rrjeti Kombëtar paralajmëroi se furnizimet me energji elektrike nuk mund të garantoheshin.

Duke folur në Pragë, ku kryeministri po diskuton krizën energjetike me liderët evropianë, Truss u pyet vazhdimisht për mundësinë e mungesës së energjisë në muajt e ardhshëm.

Ajo këmbënguli se Britania kishte një “furnizim të mirë” dhe ishte në “pozicion shumë më të mirë se shumë vende të tjera”, por refuzoi të garantonte që ndërprerjet e energjisë elektrike mund të shmangeshin.

“Ajo për të cilën ne jemi të qartë është se ne kemi një furnizim të mirë të energjisë në Mbretërinë e Bashkuar, ne jemi në një pozitë shumë më të mirë se shumë vende të tjera, por sigurisht që gjithmonë mund të bëjmë më shumë,” tha ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë