Politike

Berisha: Rama nuk lëviz nga numri i bashkive, reformat t’i arrijmë me referendume

Pas një takimi të gjerë me partitë jo parlamentare të opozitës, kryetari i PD-së, Sali Berisha është ndalur pak më shumë në përcjelljen e disa mesazheve ku ndër të tjera spikat edhe nevoja për referendumet, një nismë e përsëritur nga kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta.  Berisha e përmendi këtë proces si nevojë,  pasi, sipas tij, ka pak shpresa që reforma territoriale të ndryshojë nga mazhoranca.

LEXO EDHE:
Berisha i mbledh të gjithë, hatërmbeturit dhe refuzuesit e bojkotit

“Konsideroj shumë të rëndësishme, një bashkërendim të plotë të të gjitha përpjekjeve tona në çdo aspekt.

Në përzgjedhjen e kandidatëve. Në përpjekjet për një proces zgjedhor integral. Në përpjekje për të hapur rrugën për referendume. Ne duhet të bëjmë gjithçka për të hapur rrugën e referendumeve. Duhet të bëjmë një kauzë shumë të madhe bashkërisht. Keni shumë të drejtë për reformën territoriale, por kjo është një gjë në letër sepse Edi Rama nuk pranon asnjë. Edi Rama kishte bërë një pazar me Lulzim Bashën, më voto vettingun se po të shtoj 4-6 bashki. Dhe tani që Basha nuk ka asgjë në dorë, ju garantoj se nuk e lëviz numrin e bashkive. Nuk e lëviz dhe e vërteta është se janë disa ndryshime të thella që ne duhet të synojmë për t’i hapur rrugën referendumit, bashkërisht. Me referendume ne mund të sjellim ato reforma që janë shpëtimtare për Shqipërinë. Përndryshe vështirësitë janë shumë të mëdha”.

Berisha tha gjithashtu se protestat janë jetike dhe si të tilla janë në rendin e ditës  dhe do të përshpejtohen bashkërisht.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë