Komisioni Europian ka mundësi që të rekomandojë me kusht statusin e kandidatit për Bosnje-Hercegovinën, kanë treguar disa burime në Bruksel për Radion Europa e Lirë.
Komisionari i BE-së për Zgjerim, Oliver Varhelyi, do të prezantojë më 12 tetor paketën e zgjerimit, bashkë me raportet veç e veç për secilin shtet të Ballkanit Perëndimor.
Burimet brenda BE-së kanë konfirmuar se Komisioni Evropian do të dalë me rekomandimin që Bosnje-Hercegovinës t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, mirëpo me disa kushte.
Këto kushte besohet se datojnë nga viti 2019, kur Komisioni Evropian ka prezantuar qëndrimet e veta lidhur me gatishmërinë e Bosnjës për të fituar këtë status.
Në raportin e Komisionit Evropian për këtë vit, sipas dokumentit që ka parë Radio Evropa e Lirë Bosnja nuk ka shënuar përparim në fushat kyçe.
Vlerësime të ngjashme ndër vite janë konsideruar arsye pse komisionarët kanë qenë kundër dhënies së statusit të kandidatit për Bosnjën.
Paketa e zgjerimit duhet të miratohet nga Komisioni Evropian më 12 tetor, duke përfshirë presidentin dhe nën-presidentët e këtij institucioni.
Viteve të fundit, në BE nuk është diskutuar shumë që Bosnja të fitojë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE.
Mirëpo kjo çështje është aktualizuar pasi Komisioni Evropian ka rekomanduar për Ukrainën statusin e vendit kandidat, duke u bazuar në “mirëkuptim” që ky shtet më pas të plotësojë kushtet e duhura.
Pas rekomandimit të Komisionit Evropian, statusi kandidat i një shteti shqyrtohet dhe miratohet nga shtetet anëtare të BE-së, në nivel të qeverive.
Në rast se Bosnja e merr statusin e kandidatit, Kosova do të mbetet i vetmi shtet i rajonit të Ballkanit Perëndimor që nuk ka kërkuar formalisht anëtarësim në BE, ndonëse blloku evropian përsërit se “Kosova ka perspektivë evropiane”./REL/
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje