Bota

Biden beson se Putin nuk do përdorë armë bërthamore: Për çfarë duhet ta takoj!

Gazeta Si – “Tani për tani nuk e kuptoj pse duhet ta takoj Putinin, por gjithsesi varet, do të shohim se për çfarë do të flasë ai”.

Fjalët e Joe Biden janë të kujdesshme dhe diplomatike. Presidenti amerikan mban pa zbuluar shumë “karta” në intervistën e dhënë mbrëmë, më 11 tetor, për Jake Tapper të CNN.

Njëzet minuta pyetje për tema të ndryshme: nga lufta në Ukrainë te zgjedhjet afatmesme, kalimi në Arabinë Saudite dhe telashet gjyqësore të djalit të tij Hunter Biden.

Armët bërthamore – “Unë nuk mendoj se Putini do të përdorë armë bërthamore. Nëse do ta bënte, rezultati do të ishte i tmerrshëm. Është e vështirë të imagjinohet që sapo të hidhet një bombë që vret mijëra njerëz, situata mund të vihet nën kontroll”. Javën e kaluar, Biden tha se ekzistonte rreziku i një “apokalipsi bërthamor”, ose siç njihet ndryshe “Amagedoni”.

Putini – Biden kujton fjalimin e liderit rus menjëherë pas pushtimit të Ukrainës “ishte një botëkuptim irracional, me idenë e rindërtimit të Rusisë së madhe”, por “Putini është një subjekt racional që i ka gabuar të gjitha përllogaritjet”.

Rruga për të dalë nga lufta – Biden mbetet i paqartë. Kuptimi është se për momentin ne nuk shohim një zgjidhje të mundshme negociuese. “Në çdo rast, ne kemi rënë dakord me G7 se asgjë nuk do të bëhet për Ukrainën pa Ukrainën”.

Ballë për ballë në G20 – “Nuk kam ndërmend të takohem me Putinin. Nuk e kuptoj pse duhet ta bëj. Ai kreu krime lufte, u soll brutalisht”.

Presidenti amerikan, megjithatë, lë një dritare të hapur: “Në çdo rast, varet. Nëse, për shembull, në G20 ai do të vinte tek unë dhe do të më thoshte: ‘Unë dua të flas për lirimin e Grinerit (yllit të basketbollit të femrave të ndaluar në Rusi), atëherë do ta takoja. Shkurtimisht, varet, duhet të shohim se për çfarë dëshiron të flasë”.

Arabia Saudite – Shtëpia e Bardhë e mori shumë keq uljen e prodhimit të naftës, e vendosur vetëm nga OPEC-u, me shtytjen e Arabisë Saudite dhe Rusisë.

Biden konfirmon se Shtetet e Bashkuara “do të rishqyrtojnë marrëdhëniet me sauditët”, por nuk shkon më tej: “Do të ketë pasoja, por unë do të them këtu atë që kam në mendje”.

Ekonomia dhe recesioni – Është përgjigja më konfuze e Bidenit. Fillimisht ai argumenton se “nuk do të ketë një recesion në Shtetet e Bashkuara”, pastaj korrigjon veten: “Një recesion i lehtë është i mundur. E përsëris, është e mundur, nuk është e sigurt”.

Më pas presidenti rendit masat e marra nga qeveria për të frenuar rritjen e çmimeve, veçanërisht të barnave.

Problemet e djalit – Djali i presidentit është nën hetim në Delaëare, por ende i papaditur, për arsye tatimore dhe për mosdeklarim të blerjes së një arme.

“Jam krenar për djalin tim. Ai jetoi vite të vështira, me varësinë nga droga. Ai i tregoi të gjitha në librin e tij. Unë kam besim tek ai”.

Mosha dhe zgjedhjet – Biden do të mbushë 80 vjeç më 20 nëntor. Shumica e votuesve demokratë kërkojnë që ai të mos paraqitet në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

“Kërkoj të gjykohem për atë që kam bërë në këto dy vitet e para në detyrë. Asnjë president tjetër nuk ka arritur më shumë rezultate se unë”.

A do të kandidojë ende për Shtëpinë e Bardhë? “Do të vendos pas zgjedhjeve afatmesme. Në çdo rast, mendoj se mund ta mposht përsëri Donald Trump”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë