Politike

A do të garojë për Bashkinë e Tiranës? Si po ndryshojnë qëndrimet e Belind Këlliçit

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, është pyetur disa herë nëse do të garojë përballë Erion Velijat për Bashkinë e Tiranës.

Ai renditet deputeti i tretë më i votuar në Tiranë pas Lulzim Bashës dhe Agron Shehajt në zgjedhjet e fundit parlamentare.  

Deri më tash, Këlliçi është shprehur se nuk e ka pasur synim e as strategji garën në kryeqytet duke nënvizuar se pyetja drejtuar disa herë atij ka qenë edhe si rrjedhojë e një perceptimi të krijuar nga media nisur nga qëndrimet e tij ndaj Erion Veliajt.

“…Me thënë të drejtën u bë pak kohë që kjo çështje flitet… Unë personalisht nuk e kam shprehur ndonjëherë këtë aspiratë, nuk e kam kërkuar dhe nuk kam thënë që synoj që të kem këtë pozicion e t’i futem kësaj gare, por nga ana tjetër gjithë ky perceptim vjen për shkak të qëndrimeve të mia”, ishte komenti i tij i pak kohëve më parë që dallonte nga një tjetër reagim i tij disa muaj më parë.

“Jo nuk jam pretendent. Nuk e kam në ambicien time. Por nuk do ta ndal betejën e time politike me Erion Veliajn dhe Edi Ramën. Tirana vazhdon të betonizohet”, është shprehur ai.

Por në një prononcim të fundit, i pyetur sërish, Këlliçi hoqi dorë nga strategjitë, synimet apo perceptimet e mëparshme duke lënë gjithçka hapur për interpretim kur komentoi vetëm kandidatin përballë, Erion Veliaj.  

“Gjykoj se çdo politikan në opozitë sot, mezi do e priste një betejë me Erion Veliajn, aseti më i madh që ka PD në këtë betejë të ardhshme është Erion Veliaj, është kryebashkiaku më i dobët që ka nxjerrë pluralizmi shqiptar dhe është hipokriti më i madh që mund të ketë ekzistuar në politikën tonë. Uroj që të jetë Veliaj në garë dhe askush tjetër”- u përgjigj Këlliçi.

Në të njëjtën ditë, Belind Këllici i pyetur në një tjetër media po për cështjen në fjalë, ai u përgjigj: “Unë gjykoj se cdo demokrat e ka synim… ti thoni ju një anëtari të PD-së që a synoni ju Tiranën edhe ai t’i thotë jo është e gabuar. Nga ana tjetër në këtë moment që po flasim kjo nuk është në axhendën time dhe gjykoj që këtë e vendosin vetë strukturat e partisë, forumet… Unë jam zgjedhur për të qëndruar pranë votuesve në zonat e mia elektorale, por mbi të gjitha për të mbrojtur interesin publik në Tiranë dhe fakti që unë bëj opozitë në Tiranë ndaj Velijat nuk është ndonjë gjë e jashtëzakonshme, thjesht po bëj detyrën time para zgjedhësve të mi…”

Ndërkohë një tjetër zë brenda PD-së, Gerti Bogdani e ka shprehur publikisht ambicien e tij për Tiranën. Ndërkohë data e fillimit të primareve pra ajo e votimit në bazë të kandidatëve për kryetarët e bashkive nga ana e PD-së nuk ka filluar ende.

Luçiano Boçi la të kuptojë në një komunikim për mediat se ky proces do të fillonte pas negociatave mes grupeve ne PD, ndërsa Ilir Meta nuk e ka fshehur pakenaqësine që PD-ja po vonon me emrat, sa kohë që vetë PL e ka shpallur zyrtarisht se nuk ka ambicie për kandidatë zgjedhjet e ardhshme lokale, por synon vetëm këshillat bashkiakë.

Zyrtarisht mësohet se PD-ja ka synim që brenda nëntorit të mbylle gjithë procesin e primareve si në Tiranë ashtu edhe në qarqet e tjera.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë