Gazeta Si – Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, më 14 tetor hodhi poshtë deklaratat e homologut të tij francez, Emmanuel Macron, se Moska po destabilizon procesin e paqes midis Armenisë dhe Azerbajxhanit.
Bakuja dhe Jerevani janë në konflikt për më shumë se tri dekada lidhur me rajonin e shkëputur të Nagorni-Karabakut. Kjo pasi, separatistët e mbështetur nga Armenia morën kontrollin e rajonit që banohet kryesisht nga armenët.
Macron, gjatë një interviste për televizionin France 2, akuzoi Moskën se qëllimshëm ka provokuar përleshjet e fundit midis Armenisë dhe Azerbajxhanit. Lideri francez tha se provokimet janë pjesë e përpjekjet për të destabilizuar këtë rajon të brishtë.
“Besoj se këto deklarata tregojnë mungesë të kuptimit të kursit të konfliktit”, tha Putin gjatë takimit me liderët e shteteve të rajonit, që po mbahet në Kazakistan.
Putin shtoi se deklaratat e Macronit, “tingëllojnë të pasakta, mund të them edhe perverse, prandaj ato janë të papranueshme”.
Më 13 tetor, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, tha se deklaratat e Macronit ishin “absolutisht të papranueshme”.
Javën e kaluar, Macron së bashku me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, u takuan me presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev dhe kryeministrin e Armenisë, Nikol Pashinian.
Të dy shtetet zhvilluan një luftë gjashtëjavore në vitin 2020 dhe më pas Rusia ndërmjetësoi një marrëveshje armëpushimi, që rezultoi me humbjen e kontrollit të disa pjesëve të rajonit të Nagorni-Karabakut nga Armenia.
Sipas marrëveshjes së armëpushimit, Moska ka dislokuar rreth 2.000 trupa në rajon, si pjesë e forcave paqeruajtëse.
Në takimin midis Aliyevit dhe Pashinianit, që u zhvillua në Pragë, autoritetet evropiane thanë se liderët u pajtuan që një mision civil i BE-së të vendosej në kufirin mes shteteve.
Në kufi, mbi 200 persona u vranë në luftimet mes Armenisë dhe Azerbajxhanit që shpërthyen disa javë më parë./REL/
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje