Politike

‘Zgjohet’ Basha, firmos me 28 deputetët nismën kundër qeverisë

28 deputetë demokratë të grupit që njihet si grupimi “Alibeaj” i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të ankimuar vendimin e qeverisë që i shtezon ndërtimet pa lejë të kullave në Tiranë.

Lajmi për ankimim në Gjykatën Kushtetuese është bërë nga ana e Gazment Bardhit, i cili thekson se “sot në emër të Grupit Parlamentar të PD depozitova në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shfuqizimin si antikushtetuese të vendimit të Edi Ramës për marrjen në mbrojtje shtetërore të oligarkëve që kanë ndërtuar pa leje në Kullat e pastrimit të parave të korrupsionit dhe krimit të organizuar në Tiranë”.

Në mesin e 28 firmëtarëve bie në sy se është edhe emri i Lulzim Bashës, i rreshtuar i fundit në radhën e deputetëve demokratë që nuk i përkasin mbështetësve të Sali Berishës.

Ky është akti i parë i firmosjes së Bashës së një nisme pas dorëheqjes si kryetar i PD-së. Ai ishte tërhequr nga jeta aktive politike dhe tashmë është personi që është vënë nën akuzë nga Berisha për lobimin për paratë ruse që përfitoi PD-ja gjatë fushatës elektorale të vitit 2017.

Nisma dhe argumentet

Bardhi në një postim në rrjetet sociale shkruan se vendimi i qeverisë është në mbrojtje të oligarkë që kanë ndërtuar kulla në mes të Tiranës.

Ai thekson se vendimi më i fundit i qeverisë për këtë ccështje është në kundërshtim me Kushtetutën, sepse cënon barazinë e shtetasve përpara ligjit, cënon hierarkinë e akteve normative dhe nuk është autorizuar nga ligji.

Argumente të tjerë janë se ato janë “në kundërshtim me Kodin Penal, sepse i jep amnisti penale një kategorie personash, pa ligj të miratuar me 3/5 e votave në Kuvend; Është në kundërshtim me ligjin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”.

“Vendimi i Qeverisë provon që milonerët e Edi Ramës që kanë ndërtuar kulla pa leje në mes të Tiranës, janë të ndryshëm nga 3 milion shqiptarët e tjerë dhe veçanërisht janë të ndryshëm nga 3304 qytetarë që kanë shkuar në burg pse kanë rregulluar pa leje çatinë e shtëpisë së tyre. Gjykata Kushtetuese ka shansin të na provojë se kushdo është i barabartë përpara ligjit. Oligarkët e Edi Ramës nuk janë mbi ligjin; nuk janë të paprekshëm”, shkruan Bardhi në rrjetet sociale.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë