Ne rrjet

‘Qitësi’, rusi i dytë më i urryer në Ukrainë rikthehet në betejë për luftë totale!

Igor Girkin luftoi në Çeçeni, Serbi dhe Donbas para 8 vjetësh. Një nga ushtarakët më brutalë rusë në luftëra të ndryshme, është “rehabilituar” nga regjimi pas kritikave edhe për termin Operacion Special Ushtarak: "Ose do triumfojë Rusia plotësisht, ose do të humbasë totalisht”.

Gazeta Si – “Isha i pari që tërhoqa këmbëzën. Dhe unë jam krenar për këtë”. Kjo është gjëja e parë që ai thotë gjatë një monologu të shkurtër në telefon.

Takimi personalisht me të nuk është i mundur. “Shumë duan që unë të vdes. Dhe atëherë unë jam ende një oficer i shërbimit sekret në pension”.

Në periferi të Moskës, selia e shoqatës së tij “Novorossiya” ishte zhytur në errësirë pak ditë më parë.

Igor Girkin shpjegonte se kishte nevojë për ajër… Të premten mbrëma, u bë e qartë se ai nuk e kishte plotësisht gabim.

“Roskomndazor”, organi shtetëror që mbikëqyr komunikimet masive, e akuzoi atë dhe nëntë blogerë dhe korrespondentë të tjerë nga fronti, për diskreditim të Forcave të Armatosura Ruse.

Ata të gjithë i përkasin lëvizjes së larmishme ultranacionaliste. “Sëpata e censurës” nuk kishte goditur kurrë në atë drejtim, duke vënë nën hetim jo ata që kritikojnë Operacionin Special Ushtarak, por ata që do të donin më shumë dhe që bënin thirrje për luftë totale. Edhe kjo mund të lexohej si shenjë e erës që po ndryshonte ngadalë në Rusi.

“Unë jam patriot. Dhe ata që jetojnë për atdheun, nuk bëjnë kurrë pyetje për shtetin. Për shembull, nuk e kam fshehur kurrë mosmarrëveshjen time me veprimet e disa prej pushtetarëve tanë, përfshirë presidentin. Por për mua, mbrojtja e ‘Nënës Rusi’ është e vetmja arsye për të jetuar. Ukraina është armiku ynë deri në vdekje. Dhe si e tillë duhet asgjësuar përfundimisht. Kam tetë vjet që e përsëris”, – thoshte ushtaraku rus.

Igor Girkin i njohur ndryshe si “Strelkov”, një emër i luftës, që do të thotë “qitësi” ose “pushkatuesi”, sigurisht që nuk është viktimë.

Përkundrazi, ai është rusi i dytë më i urryer nga ukrainasit, të cilët kanë shumë arsye të mira për të menduar kështu.

Ishte njëzet vjeç kur u shemb BRSS-ja. Në vitin 1992, ai luftoi në kufirin e Transnistrias kundër trupave moldave. Më pas u regjistrua në radhët e forcave serbe në Bosnjë Hercegovinë.

Në vitin 1993, u bë kreu i një njësie ushtarake në Çeçeni. Në prill 2014, qeveria e përkohshme në Kiev, synonte të dërgonte trupat e saj në Donbas për të shuar trazirat pro-ruse, siç kishte ndodhur në Kharkiv dhe Odesë. Në fillim, Kremlini hezitoi të merrte ndonjë iniciativë.

Por kërcënimi nuk u mor parasysh nga “Strelkov”, i cili kaloi kufirin me milicinë e tij private, të financuar, kështu u tha në atë kohë, nga oligarku kryesor i krahut të djathtë nacionalist, Kostantin Malofeev.

Në dy javë ai vrau, pushtoi dhe rrethoi qytetin e Sllovianskut. Brutaliteti i tij shkaktoi një reagim të menjëhershëm nga Kievi, i cili e bindi Rusinë të hynte në konflikt.

“Pa mua asgjë nuk do të kishte ndodhur”. Ishte momenti i tij i lavdisë. Media shtetërore e ngriti atë në simbolin e luftëtarit rus, ai e emëroi veten komandant të milicive të Donjeckut.

Por ndërsa situata u normalizua, u bë shpejt e qartë se një karakter i tillë i jashtëzakonshëm, ishte i vështirë për t’u menaxhuar.

Gjithashtu, sepse përveç Ukrainës, e cila ende e akuzon për terrorizëm, ai u sanksionua nga BE dhe u gjykua nga drejtësia holandeze, e cila e mban përgjegjës për rrëzimin e fluturimit 370 të avionit “Malaysia Airlines”, i cili u kushtoi jetën 239 personave në qiejt e Ukrainës.

“Unë jam i vetmi në këtë vend që nuk kam ndryshuar kurrë ide. Por më 24 shkurt nuk u gëzova, sepse mungonte qartësia. Termi Operacion Special Ushtarak nuk ekziston ligjërisht. Nuk është e qartë se çfarë është. Perëndimi dëshiron të na shkatërrojë përmes ‘Ukry’-t (ukrainasve). Megjithatë, ne u hodhëm në ujë pa e ditur se ku është fundi, thjesht për të cituar një fjalë të urtë ruse”, – tha Igor.

Pas ngritjes së tij nga hiri, “Strelkov” u kthye në Moskë. Vitet e fundit, ai ka punuar për të ushqyer legjendën e tij tashmë të vogël dhe për të udhëhequr grupin e atyre “që e kishin shënjestruar”, duke kritikuar ushtrinë dhe qeverinë nga pozicione gjithnjë e më ekstreme. Deri të premten e kaluar.

Postimi i tij i fundit është një sulm i dhunshëm ndaj Jevgeni Prighozhinit, kreut të Brigadave Ushtarake “Wagner”.

Pastaj asgjë më shumë. “I shpërfill synimet e Kremlinit. Por e di që ky konflikt do të përfundojë me fitoren e plotë të Rusisë, ose me humbjen e saj. Nuk ka alternativa të tjera”.

Ditën e djeshme, bashkëshortja e tij ka postuar një foto të tij të kohëve të fundit me vjeshje kamuflazhi të ushtrisë ruse.

Njoftimin e bënë më pas disa ish-shokë. “Strelkov” u bashkua me një batalion vullnetar dhe u kthye në Ukrainë. Për të luftuar.

Sipas mediave ukrainase, Kievi ka vendosur 100,000 dollarë shpërblim për kapjen e Igor Girkinit, ish-ministrit të Mbrojtjes të Republikës së vetëshpallur të Donjeckut.

I kërkuar nga Prokuroria e Kievit për tortura, vrasje, veprimtari terroriste dhe shkelje të sovranitetit shtetëror, “Strelkov” cilësohet si shumë i rrezikshëm.

Kjo është bërë e ditur në rrjetet sociale nga “GUR”, drejtoria e Inteligjencës Ushtarake Ukrainase, sipas raportimeve të mediave të Ukrainës.

“Ne garantojmë pagesën prej 100 mijë dollarësh për transferimin e ‘Strelkovit’ në burgjet e Ukrainës”, shkruajnë ato

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë