Ne rrjet

A po zgjerohet konflikti?

Pushtimi që Rusia i bëri Ukrainës nuk kishte si të mos kthehej në një konflikt e përplasje më të gjerë, jo vetëm ushtarake, por edhe financiare në mbështetje të luftës. Ndërkohë që sulmet ajrore ruse nuk reshtin mbi Ukrainë, kjo e fundit vijon të përparojë në territoret e shpallura të aneksuara nga Moska zyrtare. Kjo jo vetëm falë vendosmërisë ukrainase, por edhe mbështetjes së fortë e konkrete të Perëndimit. Së fundmi, Franca deklaroi se do të trajnojë ushtrinë e Kievit, duke u bërë kështu fuqia e dytë evropiane pas Britanisë së Madhe që përfshihet edhe zyrtarisht në këtë konflikt. Duket se nga ana tjetër Moska i është përgjigjur kësaj, duke njoftuar dislokimin e mëse 9000 trupave ruse në Bjellorusinë vasale. A po zgjerohet në këtë mënyrë konflikti ushtarak?

Rusia vazhdon sulmet ajrore në qytetet e Ukrainës

Forcat ruse po vazhdojnë të shënjestrojnë infrastrukturën civile në qytete dhe fshatra anembanë Ukrainës.

Presidenti Volodymyr Zelensky tha se trupat ukrainase po i shmangin sulmet e përsëritura ruse në qytetin strategjik lindor të Bakmutit.

Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës tha, më 16 tetor, se forcat ruse kanë shënjestruar më shumë se 30 qytete dhe fshatra në të gjithë Ukrainën.

Ata thanë se në 24 orët e fundit, forcat ruse kanë lëshuar pesë raketa, kanë bërë 23 sulme ajrore dhe rreth 60 sulme me raketa.

Si kundërpërgjigje, forcat ajrore të Ukrainës kryen 32 sulme, duke goditur 24 objektiva ruse, tha ai.

Rusia ka humbur territor tash e shtatë javë, që kur forcat e armatosura të Ukrainës nisën kundërofensivën e tyre në verilindje, lindje dhe jug të vendit.

Në fjalimin e tij të mbrëmjes më 15 tetor, Zelensky tha se trupat ukrainase po mbanin ende qytetin strategjik lindor të Bakmutit, pavarësisht sulmeve të përsëritura ruse, ndërsa situata në rajonin më të madh të Donbasit mbetet shumë e vështirë.

Ushtria ukrainase ka rimarrë mbi 600 vendbanime nga forcat ruse gjatë muajit të fundit, tha më 14 tetor ministria për Riintegrim e Territoreve të Pushtuara Përkohësisht, derisa Moska po vazhdon të kryejë sulme ajrore ndaj disa qyteteve duke vrarë civilë.

9.000 trupa ruse do të vendosen në Bjellorusi

Trupat ruse pasi mbërritën në Bjellorusi për stërvitje ushtarake në janar 2022

Ministria e Mbrojtjes në Minsk ka njoftuar se më pak se 9.000 trupa ruse do të vendosen në Bjellorusi, si pjesë e një “grupimi rajonal” të forcave që ajo pretendon se janë të nevojshme për të mbrojtur kufijtë e saj.

“Grupet e para të trupave ushtarake ruse që janë pjesë e (grupimit rajonal) filluan të mbërrijnë në Bjellorusi”, shkroi në Twitter Valery Revenko, kreu i departamentit të bashkëpunimit ushtarak ndërkombëtar të ministrisë së Mbrojtjes.

Ai tha se “zhvendosja do të zgjasë disa ditë” dhe do të përfshijë “pak më pak se 9,000 njerëz”.

Lideri autoritar i Bjellorusisë, Alyaksandr Lukashenka, një aleat i ngushtë i liderit rus Vladimir Putin, tha më 10 tetor se Ukraina po përgatit një sulm ndaj territorit të shtetit të tij.

Ai tha se Rusia dhe Bjellorusia do të dislokojnë një task-forcë të përbashkët ushtarake, pranë kufirit ukrainas.

Bjellorusia varet financiarisht dhe politikisht nga Rusia. Forcat ruse e kanë përdorur territorin e Bjellorusisë për të nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, duke dërguar ushtarë dhe pajisje në veri të Ukrainës, përmes bazave në Bjellorusi.

Franca do të trajnojë rreth 2.000 ushtarë ukrainas

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe presidenti francez, Emmanuel Macron. 16 qershor 2022

Franca ka njoftuar se do të furnizojë Ukrainën me sisteme të mbrojtjes ajrore dhe do të zgjerojë një program trajnimi për ushtarët ukrainas.

Deri në 2.000 ushtarë ukrainas do të përfshihen në njësitë ushtarake në Francë për disa javë trajnime luftarake, trajnime më të specializuara në logjistikë dhe nevoja të tjera, dhe trajnime mbi pajisjet që Franca do t’ia jap Ukrainës, tha ministri i Mbrojtjes, Sebastien Lecornu, në një intervistë për Le Parisien.

“Ne po vërejmë faktin se lufta, mjerisht, do të zgjasë”, citon gazeta të ketë thënë ministri francez.

“Një brez i ri ushtarësh duhet gjithashtu të stërvitet”.

Franca kishte trajnuar edhe më parë trupat e artilerisë ukrainase për të përdorur obusët vetëlëvizës të Cezarit, që ajo ia kishte dhënë Ukrainës.

Ministri tha se bateritë e sistemeve të mbrojtjes ajrore, Crotale, që Franca po përgatit t’i dërgojë në Ukrainë “do të jenë veçanërisht të dobishme në luftën kundër dronëve dhe bombardimeve ajrore”.

Ai nuk specifikoi se sa prej tyre do të shkojnë në Ukrainë, por tha se “do të jetë e rëndësishme t’u mundësohet atyre të mbrojnë qiellin e tyre”.

Në gusht ushtria britanike njoftoi për 120 ditë do të trajnojë 10.000 rekrutë ukrainas në gjuajtje, dhënien e ndihmës së parë luftarake dhe për beteja në qytete.

SHBA jep 725 milionë dollarë ndihmë të re ushtarake për Ukrainën

Sisteme raketore me lëvizshmëri të lartë (HIMARS)

Qeveria e SHBA-së ka njoftuar dërgesa të reja të armëve në Ukrainë në vlerë totale prej 725 milionë dollarësh.

Pako e re e ndihmës së sigurisë për Ukrainën përfshinë sisteme raketore me lëvizshmëri të lartë (HIMARS), municion, makina të blinduara dhe pajisje mjekësore, njoftoi më 14 tetor Departamenti amerikan i Shtetit dhe Pentagoni.

Ndihma vjen “në vazhdën e sulmeve brutale me raketa të Rusisë ndaj civilëve në të gjithë Ukrainën” dhe “provave në rritje të mizorive nga forcat ruse”, tha në një deklaratë sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

“Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë me popullin e Ukrainës, teksa ata mbrojnë lirinë dhe pavarësinë e tyre me guxim të jashtëzakonshëm dhe vendosmëri të pakufishme”, tha ai.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha më 12 tetor se aleatët janë të përkushtuar për të dërguar armë në Ukrainë “sa më shpejt që të jetë e mundur”

Me pakon e re, ndihma që Uashingtoni ka ofruar për Kievin qëkur ka nisur pushtimi rus i Ukrainës, arrin në vlerën mbi 18.3 miliardë dollarë.

Shërbimet e aeroporteve amerikane në shënjestër të hakerëve rusë

Ekspertët e sigurisë kibernetike thonë se sulmi i kësaj jave ndaj të paktën 14 faqeve të internetit të aeroporteve të SHBA-së, përfshirë ato në Los Angeles dhe Çikago, duket të jetë vepër e një grupi rus të hakerëve. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Aerikës, Mike O’Sullivan, ndërprerjet nuk shkaktuan probleme të mëdha për pasagjerët e linjës ajrore, por ekspertët thonë se ato nënvizojnë një kërcënim të madh.

Sulmi me qëllim pamundësimin e shërbimeve u bë ndaj faqeve të internetit të 14 aeroporteve amerikane, duke i përmbytur ato me trafik në përpjekje për t’i mbyllur ose për ta bërë të vështirë përdorimin e tyre.

Sulmi sipas ekspertëve u krye nga grupi rus i hakerëve “Killnet”, i cili ka dhjetëra mijëra ndjekës në kanalet e saj në “Telegram”, një platformë që përdoret shumë në Rusi dhe në Ukrainë.

Hakerët rusë po hakmerren ndaj sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë, të cilat i quajnë vepër agresioni.

“Ata kanë pohuar se çdo grup që është në anën e Ukrainës ose që ofron mbështetje për Ukrainën, po kontribuon në këtë agresion kundër Rusisë. Kjo është arsyeja pse ata po kryejnë këto sulme kibernetike. Më kujtohet në maj të vitit 2022, “Killnet” i shpalli luftë zyrtarisht 10 vendeve, përfshirë SHBA-në, Britaninë e Madhe, Gjermaninë dhe Italinë”, thotë analisti i Inteligjencës së Kërcënimeve kibernetike, Ivan Righi.

“Killnet” po bën luftën kibernetike, ndërsa lufta fizike vazhdon. Më 8 tetor, një shpërthim dëmtoi urën që e lidh Rusinë dhe gadishullin e pushtuar të Krimesë.

Rusët u kundërpërgjigjën.

Ekspertët dhe një zyrtar i lartë amerikan thonë se nuk ka ende prova se qeveria ruse qëndron pas këtij sulmi kibernetik. Ndikimi i hakerëve sipas tyre ishte i kufizuar.

“Ata po sulmojnë organizata me rëndësi kritike, por në fakt nuk po synojnë drejtpërdrejtë organizatën. Ata po sulmojnë faqet e internetit të lidhura me këto organizata, të cilat në të vërtetë nuk kanë asnjë lidhje me operacionet”, vlerëson zëvendës shefi i analizave të inteligjencës tek organizata “Mandiant”.

Operacionet e linjave ajrore nuk u prekën. /REL,VOA


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë