Kreu i Grupit Parlamentar të mazhorancës, Taulant Balla tha pas mbledhjes së kryesisë së PS-së se sa i përket reformës territoriale ka gjithnjë vend për negociata por s’mund të kthehet në një pazar politik.
‘Gjithmonë ka vend për negociata por s’mund të bëhet Pazar politik. Do bëjmë edhe një takim përfundimtar me Alibeajn dhe Cupin për të dialoguar dhe për tu dëgjuar, por unë e kam thënë që opinioni im është ky. Ditët në vijim le ta përmbyllim dhe në fund është detyrë e Komisionit të Posaçëm që të dalë me një qëndrim përfundimtar. Nëse kemi një qëndrim shumë mirë.
Një gjë është e sigurt që sot, organizimi i qeverisjes vendore dhe ndër to bashkitë janë një transformim epokal me ato që kishim deri në 2015’ tha Balla.
Ndërkohë, në komisionin e Ligjeve ku po diskutohej drafti për dosjet i propozuar nga PS-ja, Balla tha:
“Ne kemi shprehur dakordësinë tonë me propozimin e PD për deklasifikimin e dosjeve. Pra ndryshimi që vjen në ligjin për informacion të klasifikuar për këtë pjesë të paketës së despiunizimit.
Në të njëjtin moment kanë ardhur edhe ndryshime të tjera nga drejtoria përkatëse. Duhet përmbyllur aspekti procedural në punën e komisioni ligjor.
Dakordësia jonë është dhe besoj që edhe për sa i përket ndryshimit që ne kemi propozuar, që zhbën pengesën që kishte deri tani, vlerësimi nga ana e autoritetit të kujtdo që hyn në juridiksionin e ligjit për t’u vlerësuar, edhe pse është vlerësuar nga komisionet më parë, duhet vlerësuar nën dritën e fakteve të reja që kanë dalë.

Unë mbështes edhe propozimin e shpalljes së monumente të kujtesës së burgjeve Tepelenës, Spaçit”, u shpreh Balla.
Në parim u shpreh dakord edhe Alibeaj por gjatë mbledhjes së komisionit situata ka precipituar lidhur me një amendament të kërkuar nga Alibeaj për hapjen e të gjitha dosjeve pa dallim duke bërë që në fund të debatit opozita të braktisë mbledhjen.
”E vërteta është kjo, ka pasur një amendament nga ju për ligjin e dosjeve, dhe ishte vetëm një pikë që do të thotë shfuqizimi i pengesës që kushdo që është verifikuar njëherë, të mos jetë si pengesë. Dhe them se nuk ka moment më optimal për të diskutuar amendamentin tonë. Ju thoni që Autoriteti të mos pengohet nga Komisionet Mezini dhe Bezhani. Kjo ngjarje ka marrë udhë nga dokumentacioni i korrikut që doli nga Autoriteti që bënte fjalë për çështjen I.M. me urgjencë nga Autoriteti u vlerësua që ka një informacion dhe erdhi tek kryetarja e Kuvendit. Ishte ky moment ku ne depozituam diçka që hiqte çfarëdolloj mundësie që ky dokument të përdorej për shantazh. Autoriteti dhe kushdo tjetër nuk duhet të jetë e vetmja dore që të shohin dosjet sepse lehtësisht mund të bien pre e shantazheve politike. Tani si i bëhet që dosjet të shihen deri në fund pa asnjë kufizim dhe si i bëhet që të hiqet mundësia e abuzimit? Ka vetëm një mënyrë, të mos jetë Autoriteti e vetmja dorë që i sheh , por çdo person i Republikës së Shqipërisë që ka të drejtën të njihet me dosje e Sigurimit të Shtetit. Ne e paraqitëm në këtë mënyrë dhe momenti është tani”.
Komisioni I ligjeve u ndal gjatë në këtë diskutim

“Nëse do të ndodhë që amendamenti ynë të pranohet, pra që çdo person ka të drejtë të marrë informacion dhe kopje të dokumentacionit dhe sigurimit të shtetit sipas ligjit, janë disa ligje që do të duhet të bien, pasi përjashtojnë të drejtën e çdo individi për informim për dosjet e Sigurimit. Nëse miratohet amendamenti ynë të gjitha këto dispozita minimalisht bien. Kur thuhet që i jepet vetëm të prekurve, apo të favorizuarve, fjala vetëm bie. Pra këtë duhet ta diskutojmë që tani, pasi nuk mund t’i rikthehemi edhe njëherë. Hapen dosjet për këdo dhe për secilin me kërkese të pamotivuar sipas ligjit për motivim?”, tha Alibeaj.
“Momenti është tani, sidomos tek neni 29 i shumpërfolur. Ai përmbys të gjitha dispozitat e ligjit të dosjeve, që vendosin kufizime në hapjen e tyre. Të shkallmohet dera, që mban të mbyllura dosjet e sigurimit, juve thoni hajde shohim këto frëngjitë e vogla e ndërkohë publiku mbetet në errësirë. Është paraqitur sipas procedurës. Edhe kur hidhen nenet në votim hidhet i pari amendamenti që është më i largët, pra ky i joni. Dosjet të hapen pa asnjë kufizim, pra vetëm me kufizimin që të mos cënohet siguria kombëtare. Me këtë jam dakord. Ajo që po pretendojmë ne është shumë herë më tepër, jo vetëm të kontrollohet, por të mos kontrollohet nga një dorë e vetme”, është shprehur Alibeaj.
Ndërhyrja e disahershme e Alibeajt nuk i ka pëlqyer Pandemi Majkos.
“Të jemi pak më të rezervuar, ta lëmë mes marrëdhënieve midis viktimës dhe kush e ka spiunuar ndërsa ju doni që të bëhet si Faceboook. Kemi të bëjmë me fate individësh. Ka edhe viktima që nuk do të donin të dilnin detaje. Diskutoni si adoleshente këtu”, tha Majko, duke sjellë replika jashtë mikrofonit e për pasoië kryetarja e komisionit kërkoi pesë minuta pushim.
Pas pushimit. amendamenti Alibeaj u votua dhe më pas u rrëzua me votat e anëtarëve të mazhorancës. Kryetarja e komisionit tha se propozimi i tij është përfshirë në nenin 44 të draftit të propozuar nga PS-ja dhe se nuk ishte e nevojshme që ajo të përfshihej në një tjetër nen atë 27 të propozuar nga Alibeaj. Por ky i fundit e kundërshtoi. “Ju po kërkoni tw instrumentalizoni edhe Autoritetin e Dosjeve me rrezimin e ketij amendamenti qe ndryshe nga sa thoni, nuk eshte tek neni 44…”
“Sapo votuat kundër amendamentit dhe argumenti ishte ky, të mos hapen dosjet e ish-sigurimit. Unë po ju them që nuk dua ta kthej në çështje politike dhe duhet të votohet për hapjen e tyre, për ata që kanë kryer krime por edhe për viktimat. Ju nuk doni që e vërteta të dalë në shesh, sepse ju duke pasur dosjet i përdorni për shantazh”, tha Alibeaj, i cili bashke me deputetet e tjere te PD braktisi votimin nen per nen te projektligjit te propozuar nga PS.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje