Gazeta Si – Nëntëdhjetë e dy burra të zhveshur, disa me shenja të qarta të rrahjeve dhe torturave, u gjetën më 14 tetor në bregun grek të lumit Evros që shënon kufirin me Turqinë.
Ata janë pikasur nga policia greke, e cila i ka shpëtuar me bashkëpunimin e organizatës Frontex.
Grupi përbëhej nga 61 shtetas afganë, 3 iranianë, 4 marokenë, 3 nga Bangladeshi dhe 5 shtetas pakistanezë, duke përfshirë 6 fëmijë.
Fakti është bërë i ditur nga ministri grek i Emigracionit, Notis Mitarachis, i cili ka postuar në Tëitter një foto të emigrantëve duke ecur në një shteg me kokë të ulur dhe me duar të mbuluara me organet gjenitale.
“Për këtë episod të turpshëm në Evros, – shkruan ai, – Turqia është në pozitë të vështirë. Kërkova të takohem me Presidentin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për t’ia dorëzuar çështjen dhe tashmë e kam informuar Komisionin Evropian për këtë çështje”.
Sipas autoriteteve greke, 92 emigrantët kanë dëshmuar se janë çuar në kufi nga tre kamionë të rojës turke të kufirit.
Ankaraja, nga ana e saj, mohon çdo përfshirje në këtë çështje dhe akuzon Greqinë për shkelje sistematike të të drejtave të njeriut të azilkërkuesve me bashkëpunimin e Frontex.
“Greqia i ka treguar edhe një herë mbarë botës se nuk respekton dinjitetin e refugjatëve, duke publikuar fotografi të këtyre njerëzve të shtypur që deportoi pasi u zhvati ato që zotëronin”, tha drejtoria e komunikimit e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan.
Duke folur për “shpifje”, ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu, në një konferencë për shtyp në Stamboll, e quajti Athinën “të papërgjegjshme” dhe “të paturpshme”.
Shkëmbimi i akuzave vjen në një kohë tensioni të lartë mes dy vendeve. Ndër arsyet e mosmarrëveshjes për ishujt grekë në detin Egje, të cilët për Ankaranë janë militarizuar në kundërshtim me traktatet ndërkombëtare.
Ndërkohë, UNHCR, agjencia e OKB-së për refugjatët, ka bërë thirrje për hapjen e një hetimi dhe i quajti imazhet “thellësisht tronditëse” dhe “rrethanat e paqarta”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje