Bota

Ukraina i kërkon Izraelit sisteme anti-raketore dhe shkëput marrëdhëniet me Iranin?

Gazeta Si – Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, thotë se Ukraina do t’i dërgojë një notë zyrtare Izraelit, duke kërkuar pajisjen urgjente të sistemeve të mbrojtjes ajrore.

“Sot, Ukraina do t’i dërgojë një notë zyrtare qeverisë së Izraelit me një kërkesë për të siguruar urgjentisht sisteme të mbrojtjes ajrore dhe për të filluar bashkëpunimin me cilësi të lartë në lidhje me blerjen e teknologjive përkatëse nga Ukraina”, tha Kuleba, sipas agjencisë së lajmeve “Unian”.

Ndërkohë, Kuleba i ka propozuar presidentit Volodymyr Zelensky, ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin: “Veprimet e Iranit janë poshtërsi dhe gënjeshtra që ne nuk do t’i tolerojmë. Irani ka ndërmarrë të gjitha këto veprime duke na thënë se është kundër luftës dhe nuk do të mbështesë asnjë palë me armë”, tha Kuleba në një konferencë.

Sipas tij, “Teherani mban përgjegjësi të plotë për shkatërrimin e marrëdhënieve me Ukrainën. Duke marrë parasysh shkatërrimet e shumta të shkaktuara nga dronët iranianë në infrastrukturën civile të Ukrainës, vdekjet dhe vuajtjet e shkaktuara për popullin tonë, si dhe në lidhje me shfaqjen e raporteve për vazhdimin e mundshëm të furnizimit me armë të Iranit në Rusi, unë i propozoj Presidentit të Ukrainës ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin”, tha ai.

“Ne kurrë nuk kemi marrë një qëndrim anti-iranian. Por pasi Irani u bë bashkëpunëtor në krimin e agresionit dhe krimet e Rusisë në territorin tonë, sot ne do të mbajmë një qëndrim shumë të qartë dhe të ndershëm. Nëse Irani ndalon furnizimin me armë për Rusinë, ne do të rivendosim të gjithë kompleksin e marrëdhënieve”, tha Kuleba.

Deklarata e Kulebës vjen pasi Rusia vazhdoi sulmet ndaj Ukrainës, duke përdorur dronë kamikazë dhe raketa.

Rusia tha se ka blerë qindra dronë iranianë të llojit Shahed-136, të cilat po i përdor kundër Ukrainës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë