Nga Irena Beqiraj – Me një gjuhë paksa të drunjtë teknike “Monitor” në shkrimin “Numri i bankave me rëndësi sistemike ulet në katër, hiqet banka Intesa Sanpaolo” na informon se nga 5 banka sot kemi 4 banka të cilat janë “sistematikisht të rëndësishme” ose thënë ndryshe “too big to fail”.
Pra, nisur nga madhësia e tyre relative në treg ato nuk mund të lejohen të falimentojnë. Këtyre bankave të mëdha në rast vështirësish u jepet një shkallë ndihme që nuk është përgjithësisht e disponueshme me ligj për sektorin e korporatave jofinanciare dhe sigurisht nuk ofrohet për familjet.
Goja mos sjelltë gjë, ose siç thonë në Vlorë “në dru e në gur”, nëse BKT,Credins Raiffaisen, edhe OTP do të ishin në prag falimentimi ato do të shpëtoheshin përmes formave të ndryshme të mbështetjes masive dhe të paprecedentë të qeverisë.
Ka dy trende të rezikshme që po matrializohen në sistemin bankar: E para përqendrimi i theksuar bankar, edhe e dyta ndryshimi i llojit të pronësisë së bankave brenda sistemit, të cilat do të tentojnë të ulin konkurencën por edhe sigurinë e sistemit .
Një sistem bankar i denjë ka dy funksione: të kujdeset për paratë e depozituesve dhe të bashkojë kursimtarët dhe investitorët në një marrëdhënie reciproke fitimprurëse.
Kursimet depozitohen në banka dhe kujdesi për kursimet ka një çmim. Marrëveshjet që bankat rregullojnë ndërmjet huamarrësve dhe depozituesve janë burimi i jetës së ekonomive moderne por edhe proces i rrezikshëm për të cilën bankierët padyshim meritojnë të shpërblehen mirë. Pikërisht fitimi që bankierët fitojnë për ofrimin e këtij shërbimi thelbësor ekonomik përfaqëson atë që ish-rregullatori britanik Adair Turner e quante “fajde e rregulluar me ligj”.
Përqendrimi në tregjet të mirëpërcaktuara të depozitave dhe kredive përcakton presionin konkurrues brenda sektorit.
Në një treg të përqendruar siç është yni, presioni konkurrues bje, edhe bankat priren të ofrojnë kushte më të këqija për klientët.
Ky lloj konsolidimi, rezulton më pak lojtarë të fuqishëm në treg duke rritur rezikun e dështimit. Ndërkohë numri i madh i konsolidimeve ( bashkime edhe blerje bankash) të cilat kanë ndodhur edhe po ndodhin në tregun bankar shqiptar ( ku edhe Raiffaisen pritet të largohet edhe të blihet nga një grup shqiptar që zotëron një bankë tjetër) do të rrisin barrierat për hyrjet e reja në tregun bankar edhe financiar, duke rritur fitimet e lojtarëve te mëdhenj në kurriz të kreditorëve edhe depozituesve.
Nga ana tjetër teoria standarde ekoomike na mëson që përqëndrimi ose koncentrimi brenda sektorit jo vetëm rrit fitimet e lojtarëve më të fortë, por ç’është më e keqja, rrit aftësitë e tyre për të përcaktuar apo ndikuar tek rregullat apo për të mos ju bindur zbatimit të tyre.
Pra sektori ynë bankar rrezikon të shndërrohet nga fajdexhinjtë e rregulluar me ligj të Adair Turner në fajdexhinjtë e rregulluar sipas midesë së vetë fajdexhinjëve.
Problemi i dytë është ai që preku edhe FMN në deklaratën e fundit. Nëse deri dje bankat që vepronin në Shqipëri zotëroheshin kryesisht nga banka të huaja europiane, sot po ndodh një zhvendosje e frikshme e pronësisë së tyre në individë edhe grupe jo financiare, kryesisht shqiptare.
Prania e bankave me aksione të konsiderueshme të mbajtura nga individë dhe grupe jofinanciare rrit rrezikun e mungesës së kapitalit, por mbi të gjitha rrit rrezikun që këto banka të hyjnë në transaksione të rrezikshme me palët e lidhura.
Po ashtu ekziston frika që hyrjet e reja në tregun bankar të mos kenë përvojën e nevojshme bankare apo mos të përmbushin kriteret ” fit proper”,pra thënë shkurt , siguria që pronarët përfitues dhe menaxherët e lartë të bankave janë të duhurit edhe të përshtatshmit po bie.
Largimi i degëve të bankave të huaja është një çështje që po ashtu kërkon një reflektim të kujdeshëm edhe realist për ndryshimet thelbësore në tregun financiar edhe burimet e financimit të tij .
Megjithëse nuk futem tek ekonomistët që mitizojnë investitorët e huaj,në një mjedis ekonomik ku financat akoma nuk janë kulturë bazë , edhe njohja e tyre është e mangët, ekzistenca e bankave të zotëruara nga banka të huaja , ishte një filtër më shumë sigurie për ekonominë .
Siç duket është marrë vendimi ta braktisim këtë filter, edhe bashkë me të, kemi vendosur të ekspozojmë ekonominë tonë të brishtë karshi risqeve që nuk ka këllqe t’i mbajë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje