Bota

Nis evakuimi i civilëve nga Khersoni, gjenerali rus: Nuk përjashtoj vendime të vështira!

Gazeta Si – Situata në zonat e Ukrainës të prekura nga i ashtuquajturi Operacioni Special Ushtarak rus është “e tensionuar”.

Kështu deklaroi komandanti i operacioneve ruse, gjenerali Serghei Surovikin, i cituar nga agjencia ruse e lajmeve Tass.

Surovikin shtoi se ukrainasit po dërgojnë “të gjitha rezervat” që kanë në dispozicion në front dhe vazhdojnë përpjekjet e tyre për të sulmuar pozicionet e forcave ruse, por humbjet e tyre kanë arritur “600 deri në 1000” ushtarë në ditë.

Vetë Surovikin deklaroi më pas se ushtarët e tij janë “vazhdimisht nën sulmin e armikut” dhe se “vendimet e vështira nuk mund të përjashtohen”.

Surovikin po ashtu tha se ushtria ruse ka nisur të evakuojë civilët nga qyteti jugor ukrainas i Khersonit, që është pushtuar nga Moska dhe gjendet në një prej katër rajoneve që Rusia paligjshëm aneksoi tri javë më parë.

“Ushtria ruse do të ofrojë evakuim të sigurt të banorëve” të Khersonit, tha Surovikin gjatë intervistës, teksa e përshkroi situatën si “shumë të vështirë”.

Shefi i administratës së instaluar nga Rusia në Kherson shtoi se do të ketë një “zhvendosje të organizuar” të civilëve nga pjesa e majtë e bregut të Lumit Dnipro.

Më 8 tetor, Ministria e Mbrojtjes së Rusisë e emëroi Surovikinin si komandant të përgjithshëm të forcave të Kremlinit që marrin pjesë në luftën në Ukrainë.

Kjo është hera e parë që Rusia emëron një komandant të vetëm për të gjitha forcat ruse që luftojnë në Ukrainë, qëkur Moska nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Në Ukrainë, pro-rusët njoftuan këtë të mërkurë se në Kherson do të evakuojnë rreth 50,000-60,000 brenda një jave në bregun e majtë të lumit Dnieper.

Kherson ishte qyteti i parë i madh ukrainas që ra në duart e ushtrisë ruse, në ditët e para të luftës. Forcat ukrainase kanë rimarrë territoret pranë qytetit në javët e fundit, teksa presidenti Zelensky thotë se kanë arritur deri në 30 km në jug të lumit, duke kërcënuar trupat ruse.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë