Politike

‘S’duam që gjykata të kthehet në mënyrat e vjetra’. Kim takon gjyqtarët e GJKKO

Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim zhvilloi takime në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, GJKKO.

Ndërkohë, të enjte, në orën 10:30 Yuri Kim ka planifikuar takim me drejtues dhe gjyqtar të Apelit të Posaçëm.

“Vendimet tuaja kanë rritur besimin e publikut tek institucionet e drejtësisë, u mundësuan partnerëve ndërkombëtarë që të fillojnë sërish t’u besojnë homologëve shqiptarë dhe më e rëndësishmja, u thanë njerëzve të këqinj se ligji po funksionon. Shqipëria nuk ka parë kurrë që zyrtarë të tillë të lartë të shpallen fajtorë me vendime përfundimtare. Kjo është një kohë kritike për reformën në drejtësi. Kriminelët po e ndjejnë presionin. Kjo do të thotë se përpjekjet e tyre do të jenë edhe më intensive dhe ju duhet të rezistoni. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe populli shqiptar nuk duan që gjykata të kthehet në mënyrat e vjetra. Le të sigurohemi që ato kohë të mbeten në të kaluarën, njëherë e përgjithmonë”, u tha Ambasadorja gjyqtarëve, sipas faqes zyrtare të Ambasadës amerikane në Tiranë.

Pak ditë më parë, ambasadorja amerikane shpërndau një mesazh në Twitter.  

“Ne jemi të vetëdijshëm për më shumë përpjekje për të joshur ose frikësuar gjyqtarët dhe prokurorët, për të shtrembëruar drejtësinë, për të këmbëngulur në mosndëshkimin e të fuqishmëve, me fjalë të tjera, për t’i tërhequr në të kaluarën.

Gjyqtarët dhe prokurorët duhet të kryejnë detyrat e tyre në përputhje me ligjin, me integritet.

Është koha për të thyer modelet e vjetra të korrupsionit dhe ndikimit të paligjshëm në sistemin gjyqësor.

Duhet të ecë përpara, jo mbrapa, madje as të qëndrojë në vend.  Po i kushtojmë vëmendje të gjitha zhvillimeve dhe do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm zbatimin e reformës në drejtësi…”, komentoi ambasadorja amerikane pak ditë më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë