Politike

KE jep 350 mln euro për Ballkanin: Luftë emigracionit dhe ndihmë për krizën energjetike

Gazeta Si – Komisioni Europian ka rritur buxhetin për vendet e Ballkanit Perëndimor, për të përballuar krizën energjetike dhe për të ndalur emigrimin e paligjshëm.

Shuma prej 350 milionë eurosh shtesë do t’u jepet vendeve të Ballkanit që janë në procesin për anëtarësimin në BE dhe në të përfshihet edhe Shqipëria.

“Buxheti i BE-së për përballimin e krizave në Ballkanin Perëndimor do të rritet me 60% për periudhën 2021-2024. Kjo do të thotë ndryshe një rritje me 350 milion euro”, – tha komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, në fjalimin e tij para europarlamentarëve gjatë prezantimit të buxhetit të KE-së.

Komisioni Europian. Gazeta Si, 19 tetor 2022

Një pjesë e mirë e këtyre fondeve do të shkojë për luftën kundër emigrimit të paligjshëm, që për BE-në duket se është një shqetësim. Çështja e migracionit që kalon përmes Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimi Europian është urgjente. Kjo për shkak të numrit shumë të madh të emigrantëve klandestinë, që kanë kaluar këtë vit përmes të ashtuquajturës “rruga e migrimit të Ballkanit Perëndimor”.

“Duhet të jetë e qartë se dera jonë nuk është e hapur për rrugë të paligjshme migrimi. Personat që kalojnë përmes dyerve të paligjshme dhe që nuk kualifikohen për qëndrim, do të kthehen pa humbur kohë. Duhet të jetë po ashtu e qartë, se ne do të mbrojmë sistemin tonë të azilit”, – ka deklaruar Varhelyi.

Ai ka theksuar, se Bashkimi Europian është i gatshëm që të godasë rrjetet e trafikantëve dhe ato kriminale që bëjnë të mundur kalimin e emigrantëve të paligjshëm nga Ballkani Perëndimor.

Sa i përket ndihmës për përballimin e krizës energjetike, komisioneri për Zgjerimin deklaroi se BE do të bëjë gjithçka që edhe Ballkani Perëndimor të shkëputet nga varësia e gazit rus. Për këtë ai theksoi se BE i ka bërë pjesë të blerjeve të përbashkëta të energjisë të gjitha shtetet e rajonit, si dhe ka shumë projekte për të treja për diversifikimin apo përdorimin me eficencë të energjisë.

“Kemi projekte të përbashkëta për pavarësinë nga gazi rus të Ballkanit Perëndimor”, – theksoi Varhelyi gjatë fjalimit të tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë