Gazeta Si – Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Liz Truss, dha dorëheqjen nga posti, pas vetëm 45 ditësh në detyrë.
Ajo tha se nuk mund të vazhdonte në detyrë për shkak se nuk mund të zbatonte premtimet me të cilat u zgjodh në këtë detyrë nga partia e saj.
“Duke pasur parasysh situatën”, tha ajo në një fjalim përpara Downing Street, (zyra e qeverisë), “e kuptova se nuk mund ta përmbush mandatin tim. Tashmë e kam njoftuar Mbretin dhe do të mbetem kryeministre derisa të zgjidhet pasardhësi im”.
Dorëheqja e Truss vjen pas 45 ditësh në detyrë – as gjashtë javë. Por ishin javë kaosi, pas debatit të reduktimit të taksave në shtator, i cili u rrëzua tërësisht pas reagimit më se negativ të tregjeve.
Ditët e fundit, kryeministrja ishte detyruar – përpiqej të rezistonte – të sakrifikonte aleatin e saj kryesor, kancelarin Kwasi Kwarteng, dhe ta zëvendësonte atë me Jeremy Hunt, një i moderuar që u shfaq menjëherë si kryeministri i vërtetë: një situatë e paqëndrueshme.
Shpërthimi i qeverisë britanike ndodhi nën sytë e të gjithëve në Parlamentin e Westminsterit, ku mbrëmë dëshmuam skena kaotike: qeveria kishte bërë të ditur se po shqyrtonte një seancë “votëbesimi” dhe kishte kërcënuar se do të pezullonte nga Partia Konservatore ata deputetë që ishin shprehur kundër saj.
Por kur një numër i madh zonjash kërcënuan me rebelim, ekzekutivi u detyrua të tërhiqej, gjë që bëri që dy drejtuesit e grupit të jepnin dorëheqjen menjëherë.
“Pas kësaj mbrëmjeje, – tha një konservator i lartë për ‘Telegraph’, – do të shohim kaos total: unë mendoj se 24 orët e ardhshme do të jenë ferr për ju”.
Në fakt, Liz Truss nuk kishte më një shumicë për t’u mbështetur. Dhe sot ajo duhej të hiqte dorë nga posti i kryeministres.
Dorëheqja e Truss vjen në një kohë kur sipas një sondazhi të kryer gjatë fundjavës, më shumë se gjysma e qytetarëve britanikë rezultoi se mendonin që ajo duhet të jepte dorëheqjen si kryeministre dhe 80% e tyre fajësonin qeverinë për rritjen e kostos së jetesës.
Situata ekonomike nuk ka qenë e mirë dhe këtë e tregojnë edhe të dhënat zyrtare. Inflacioni në Mbretërinë e Bashkuar arriti në nivelin më të lartë të 40 viteve këtë Shtator, pas kostos në rritje të ushqimeve që nuk ishte parë që nga viti 1980.
Liz Truss shërbeu si kryeministre e Britanisë vetëm 45 ditë, periudha më e shkurtër e një zyrtari në këtë post. I dyti pas saj vjen George Canning, i cili mbajti postin si kryeministër për 119 ditë në vitin 1827.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje