Politike

“Nxis çdo gjyqtar e prokuror të zbatojë ligjin”, mesazhi i Kim me gjyqtarët e Apelit në GJKKO

Gazeta Si – Ambasadorja amerikane Yuri Kim u takua sot me gjyqtarët e Gjykatës së Posaçme të Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Ambasada amerikane në Tiranë ka përcjellë një njoftim në faqen e saj zyrtare në Facebook.  

“Nuk mund të theksojmë mjaftueshëm rëndësinë e një gjyqësori të drejtë, të paanshëm dhe të guximshëm, jo vetëm për popullin shqiptar, por edhe për miqtë dhe aleatët e tyre. Shqipëria po ecën përpara, jo pa vështirësi, por megjithatë po ecën. Rruga përpara, është e vetmja rrugë për të moshuarit shqiptarë, të cilët nuk hoqën kurrë dorë nga shpresa dhe për djemtë dhe vajzat e reja, të cilët kanë aq shumë nevojë për të. E nxis çdo gjyqtar dhe prokuror të këtij vendi që ta bëjë punën e tij me ndershmëri, duke zbatuar pa mëdyshje ligjin, me guxim dhe krenari. Ne do të qëndrojmë krah jush, do të vazhdojmë të luftojmë bashkë me ju”.

Dy ditë më parë, Kim vizitoi Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë dhe u takua me gjyqtarët e saj.

Pas atij takimi, përmes një publikimi në Facebook, Kim tha se vendimet e gjyqtarëve kanë rritur besimin e publikut tek institucionet e drejtësisë.

“Shqipëria nuk ka parë kurrë që zyrtarë të tillë të lartë të shpallen fajtorë me vendime përfundimtare. Kjo është një kohë kritike për reformën në drejtësi. Kriminelët po e ndjejnë presionin. Kjo do të thotë se përpjekjet e tyre do të jenë edhe më intensive dhe ju duhet të rezistoni. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe populli shqiptar nuk duan që gjykata të kthehet në mënyrat e vjetra. Le të sigurohemi që ato kohë të mbeten në të kaluarën, njëherë e përgjithmonë”, u tha ambasadorja gjyqtarëve.

Një ditë më parë, Kim bëri një paralajmërim të fortë në konferencën e 30-vjetorit të Gjykatës Kushtetuese, ku tha se ata që duan ta kthejnë Shqipërinë në kohën kur gjyqtarët kërcënoheshin, duhet të ndalojnë.

“Ju që doni ta tërhiqni Shqipërinë në të shkuarën, duke shpërfillur vuajtjen e qytetarëve, ju them ndaloni! Jepini fund! Koha juaj ka mbaruar. Koha e atyre telefonatave, dërgimit të emisarëve, dhuratave apo kërcënimeve; kërcënimeve edhe me ekspozimin e dokumenteve sekrete, ajo kohë ka mbaruar. Ju që keni gëzuar privilegjet, keni gëzuar imunitetin; keni mbushur xhepat për vete, fëmijët dhe miqtë tuaj, jepini fund! Koha juaj ka mbaruar. Është koha të lini qytetarët të jenë vërtetë të lirë”, tha Kim.

Në mesazhet e saj për gjyqtarët kundër korrupsionit, ambasadorja ka qenë e drejtpërdrejtë, duke kërkuar të sfidohen shantazhuesit e drejtësisë, siç i cilësoi ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë