Gazeta Si – Në javët e fundit, shumë sulme ruse në Ukrainë janë kryer me përdorimin e të ashtuquajturve “dronë-kamikazë” të prodhuar nga Irani, të quajtur “Shahed-136”, të cilët mund të fluturojnë për më shumë se 2000 kilometra dhe më pas të përplasen me një objektiv duke shpërthyer eksplozivët e saj.
Këto armë janë përdorur në disa nga sulmet më të fundit dhe serioze ruse në Ukrainë, duke përfshirë ato të 10 dhe 17 tetorit, që synojnë kryesisht infrastrukturat energjetike të Ukrainës, por edhe ndërtesat e banimit.
Dronët janë mjaft të lirë në krahasim me sistemet më të avancuara të raketave, dhe për këtë arsye ushtria ruse i ka përdorur ato në sasi të mëdha javët e fundit.

Ndonëse të ngadalta dhe shumë të zhurmshme, janë mjaft të lehta për t’u dalluar, por nuk janë të lehta për t’u rrëzuar, edhe sepse ushtria ruse i përdor në grupe dhe i fluturon në lartësi shumë të ulëta në mënyrë që të jenë të padukshme për sistemet kryesore të mbrojtjes ajrore.
Megjithatë, ushtria ukrainase po mëson të mbrohet kundër këtyre dronëve në tre mënyra: me fluturime patrullimi nga avionët ushtarakë që kontrollojnë hapësirën ajrore; me sistemet e artilerisë kundërajrore të përdorura nga toka; dhe me ushtarë individualë që përpiqen të rrëzojnë dronët duke gjuajtur me armët e tyre ballë për ballë.
Sipas Yuriy Sak, këshilltar i ministrit ukrainas të Mbrojtjes, ushtria ukrainase tani ka kuptuar se si të mbrohet nga dronët dhe arrin të rrëzojë rregullisht shumicën e atyre që Rusia përdor për të sulmuar Ukrainën, edhe pse dëmi i shkaktuar nga dronët që arrijnë në objektiv vazhdon të mbetet i madh.

Në një intervistë me gazetën “New York Times”, ai tha se ushtria ukrainase rrëzoi dronin e parë rus më 13 shtator dhe që nga ajo kohë ka rrëzuar të paktën 237.
Megjithatë, goditja e tyre është një punë shumë e ndërlikuar për ushtarët ukrainas: siç shpjegoi një pilot i forcave ajrore ukrainase për “New York Times”, problemi kryesor është identifikimi i tyre, pasi në radar ata shpesh mund të ngatërrohen me tufa zogjsh migrues.
Një problem tjetër, është se për të rrëzuar dronët që i kanë kushtuar Rusisë relativisht lirë, pilotët ukrainas të avionëve shpesh detyrohen të përdorin raketa shumë të shtrenjta.
Yurii Ignat, zëdhënësi i Forcave Ajrore të Ukrainës, tha për këtë temë: “Është zhgënjyese të duhet të godasësh këta dronë me raketa të shtrenjta. Por çfarë mund të bëjmë tjetër? Ky është realiteti tani”.

Një mënyrë tjetër për të rrëzuar dronët rusë, është t’i godasësh nga toka sapo t’i dallosh (kur i afrohen tokës bëjnë shumë zhurmë dhe nuk është e vështirë t’i dallosh).
Ditët e fundit, kanë qarkulluar shumë video të ushtarëve ukrainas, por edhe të civilëve, që gjuanin ndaj dronëve, ndërsa ata fluturonin mbi disa qytete: por në krahasim me përdorimin e raketave të lëshuara nga avionët ushtarakë, kjo është një metodë padyshim më pak e saktë dhe gjithashtu potencialisht e rrezikshme, sepse plumbat e gjuajtur në ajër mund të bien në tokë duke goditur njerëzit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje