Gazeta Si – Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (ANEB), po përgatitet të dërgojë inspektorë në dy ndërtesa bërthamore ukrainase me kërkesë të Ukrainës, pas pretendimeve ruse se Kievi mund të dislokojë të ashtuquajturat “bomba ndotëse”.
Ukraina dhe aleatët e saj kanë hedhur poshtë pretendimet ruse se Kievi po zhvillon një “bombë ndotëse” për ta përdorur kundër forcave të Moskës dhe ministri i Jashtëm ukrainas, Dmitro Kuleba, ka ftuar ANEB-in “që urgjentisht të dërgojë ekspertë në ndërtesat paqësore në Ukrainë, ku Rusia pretendon se po zhvillohet ‘bomba ndotëse’”.
Kuleba tha se Ukraina gjithmonë ka qenë transparente dhe “nuk ka asgjë për të fshehur”.
Në përgjigje të kërkesës së Kulebës, ANEB-i tha se po përgatitet që të dërgojë inspektorë në dy ndërtesa ukrainase.
Shefi i ANEB-it, Rafael Grossi, tha përmes një deklarate se dy lokacionet janë nën mbikëqyrjen e kësaj agjencie të Kombeve të Bashkuara dhe janë vizituar rregullisht nga inspektorët e agjencisë.
ANEB-i “është i vetëdijshëm për deklaratat e bëra nga Federata Ruse [më 23 tetor] lidhur me aktivitetet e supozuara në dy lokacione bërthamore në Ukrainë”, tha Grossi dhe shtoi se këto dy lokacione kanë qenë subjekt i inspektimeve dhe njëri prej tyre ishte inspektuar muajin e kaluar dhe nuk është gjetur asnjë aktivitet i padeklaruar bërthamor apo ndonjë material.
“ANEB-i po përgatitet të vizitojë këto lokacione në ditët në vijim”, u tha në deklaratë.
Pretendimet e Rusisë se Kievi po planifikon të dislokojë “bombë ndotëse” – që është një bombë konvencionale, por e mbushur me materiale radioaktive, biologjike dhe kimike – erdhën pas një sërë bisedash telefonike që ka zhvilluar ministri i Mbrojtjes së Rusisë, Sergei Shoigu, me homologët e tij nga disa shtete të NATO-s.
Britania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara lëshuan një deklaratë të përbashkët duke hedhur poshtë pretendimet, pas bisedave me Shoigu, në të cilat ministri rus nuk dha dëshmi për këtë pretendim.
“Shtetet tona e kanë bërë të qartë se ne të gjithë hedhim poshtë pretendimet e rreme të Rusisë se Ukraina po përgatitet të përdorë ‘bombë ndotëse’ në territorin e saj”, u tha në deklaratën e këtyre tri shteteve.
Por, Rusia ka përforcuar pretendimin e saj, që vjen disa javë pasi ushtria e Moskës po pëson humbje në jug dhe lindje të Ukrainës.
“Sipas informacioneve që kemi, dy organizata në Ukrainë kanë instruksione specifike për të krijuar të ashtuquajturat ‘bomba ndotëse’. Kjo punë është në fazën finale”, tha gjeneral-lejtënant Igor Kirillov më 24 tetor.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se Moska vazhdimisht bën pretendime, të cilat, sipas tij, hidhen poshtë nga aleanca ushtarake.
Edhe zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, tha se SHBA-ja nuk ka parë asnjë tregues se Rusia po përgatitet të përdorë armë bërthamore, por tha se do të ketë pasoja për Moskën nëse përdorë “bomba ndotëse” apo çdo armë tjetër bërthamore./REL/
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje