Politike

Zgjedhjet vendore, a do të dalë PS në koalicion pas 7 vitesh vetëm?  

Zgjedhjet për pushtetin vendor janë dekretuar nga ana e presidentit Bajram Begaj më 14 maj më 2023.

Pas disa oshilacionesh në përballje mes socialistëve dhe demokratëve, këto zgjedhje pritet të jenë teje të ashpra. Pasi demokratët humbën disa palë zgjedhje dhe ato të fundit për zgjedhjet lokale i bojkotuan, duke ia falur 61 bashkitë socialistëve.

Partia Demokratike, frenat e se cilës i ka marrë në dorë Sali Berisha tashmë po punon të dalë në koalicion me aleatët e saj, duke mos lënë jashtë skemës as Partinë e Lirisë së Ilir Metës, dikur Lëvizja Socialiste për Integrim.

Por duket se edhe socialistët po synojnë që të dalin në zgjedhje në një koalicion zgjedhor për zgjedhjet e 14 majit. Një sinjal të tillë e ka dhënë sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri gjatë një interviste më të fundit televizive.

“Ne patjetër kemi partnerë shumë grupime shoqërore, shoqata që kanë ndjerë mirëqeverisjen e PS, në nivele lokale do të shohim për të organizuar një pjesë të faktorëve, akoma nuk kemi marrë një vendim për koalicionin, do ta diskutojmë këtë çështje.  Jam i bindur që ne do të kemi mbështetjen më të madhe të të gjitha grupimeve që duan mirëqeverisjen e këtij vendi.  Çdo gjë është opsion, çdo gjë është e mundur. Le t’ia lëmë procesit në kohën e duhur”, tha Gjinkuri për Klan News.

Nëse PS-ja vendos të dalë në koalicion, atëherë një formulë e tillë do të rikthehet pas 7 vitesh. Në zgjedhjet lokale të vitit 2015, PS konkurroi me koalicionin “Aleanca për Shqipërinë Europiane” në përbërje të të cilit ishin 32 parti. Asokohe PS dhe LSI ishin në një koalicion, së bashku me PDIU-në e Shpëtim Idrizit.

Një koalicion që erdhi natyrshëm nga fitimi i zgjedhje parlamentare të 2013-ës që solli në pushet socialistët. PS-ja vendosi që në 2017-ën të konkurronte e vetëm në zgjedhje parlamentare, duke deklaruar se aleancën më të mirë e kanë me popullin. E njëjta skemë u përdor dhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021. Pas nëntë vitesh pushtet duket se socialistët ndjehen të konsumuar dhe po kërkojnë që të mbledhin sa më shumë aleatë që kanë ndikime në bashki e ndryshme. Partia Socialdemokrate e Tom Doshit ka një aleancë të natyrshme me PS-në, dhe se nuk dihet nëse do të ketë një koalicion të përbashkët apo jo. Ndërsa edhe vetë PDIU e Shpëtim Idrizit ka deklaruar shkëputjen nga PD-ja, pasi do të konkurrojë e vetme. PS-ja mbase po sheh të joshë Idrizin, pasi partia e tij ka ndikim në disa zona, si dhe për faktin se kjo parti ka bashkëpunuar dikur me socialistët.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë