Politike

Sulmet kibernetike, Salianji akuzon policinë: Nuk ka të dhëna as për nivelin e hakerimit

Gazeta Si – Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji tha se në vendin tonë nuk ka asnjë siguri për mbrojtjen e dhënave, edhe pse janë shpenzuar miliona para për mbrojtjen.

Pas përfundimit të seancës në Komisionin e Sigurisë, ku i pranishëm ka qenë dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Muhamet Rrumbullaku, deputeti  i PD-së  ka deklaruar se as vetë policia nuk e di se deri në çfarë niveli janë hakeruar të dhënat si pasojë e sulmeve kibernetike nga Irani.

“Nuk ka siguri për mbrojtjen e të dhënave, ndonëse janë shpenzuar miliona para. Një ndër shqetësimet e mia, është se ka cenim të besueshmërisë për policinë e shtetit. Sipas tyre, të dhënat e TIMS nuk janë sensitive, ndërsa për ne, jo vetëm cenojnë besimin, por edhe privatësinë e qytetarëve”.

Salianji theksoi se “as vetë Policia e Shtetit nuk e di ende sot se deri në cilin nivel ka shkuar hakerimi dhe si kanë hyrë hakerat në një sistem të mbyllur dhe si janë shpenzuar më shumë se 200 milionë euro. Të shpresojmë të mos ketë të dhëna të tjera. Nuk mendoj se ka ndonjë sekret të madh sot kur gjithçka e kanë nxjerrë hakeruesit iranianë”, tha ai.

Ai shtoi se ka një kontradiktë mes asaj që thotë Policia e Shtetit në raport me atë që ka ndodhur realisht.

“Pretendohet se nuk janë prekur sistemet që kanë të bëjnë me informacione të klasifikuara, ndërkohë që ju vetë e keni parë që informacionet sekret shtetëror janë publikuar në media”.

Salianji tha se hakerimi i sistemeve ka ndodhur pasi nuk kanë mbrojtje sistemet në vendin tonë.

“Nuk kanë mbrojtje sistemet në Shqipëri dhe prandaj kanë rënë, janë harxhuar miliarda euro, por jemi në këtë situatë”, – vijoi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë