Politike

Rama-Vuçiç-Kovaçevski koordinohen para samitit të Berlinit: Çojmë përvojat më të mira të Ballkanit të Hapur

Kryeministri i Maqedonisë së veriut Dimitar Kovaçevski, me iniciativë të tij, sot ka mbajtur takim koordinues online me liderët e Ballkanit të Hapur, Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe Kryeministrin Edi Rama, në prag të Samitit të Procesit të Berlinit, i cili mbahet në fillim të nëntorit në Berlin.

Në takimin koordinues ishin prezent zëvendëskryeministri Bojan Mariçiq, ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani dhe kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut Branko Azeski.

Në takim, liderët theksuan se Ballkani i Hapur është i njohur si iniciativë pozitive rajonale që tanimë jep rezultate konkrete për kompanitë dhe qytetarët kur bëhet fjalë për liritë evropiane për lëvizjen e njerëzve, shërbimeve dhe mallrave.

Për këtë qëllim, në Samitin paraprak të Procesit të Berlinit, liderët ranë dakord që t’i përcjellin të gjitha përvojat pozitive nga Ballkani i Hapur.

Nga liderët u theksua se Ballkani i Hapur është një nismë që mobilizon administratën, biznesin dhe qytetarët për përparim të përbashkët të rajonit dhe për mbështetje të përbashkët gjatë gjendjeve të krizës të shkaktuara nga mungesa e ushqimit dhe energjisë elektrike.

Liderët diskutuan edhe për qëndrimet e përbashkëta të tre shteteve për përshpejtimin e zbatimit të nismave aktuale.

Ndërkohë Vuçiç shkroi në Instagram për takimin. “Fola me Edi Ramën dhe me Dimitar Kovçevski për hapat e përbashkët për të garantuar një dimër të sigurt për të gjithë qytetarët tanë, si dhe takimin e ardhshëm në kuadër të Procesit të Berlinit. Një Ballkan i Hapur do të thotë paqe, prosperitet dhe një të ardhme më të sigurt për njerëzit e rajonit tonë, sepse së bashku jemi gjithmonë më të fortë”, tha Vuçiç.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë