Politike

BE jep 80 milionë euro për krizë energjetike, Rama: Faleminderit, por janë 1/6 e nevojës

Gazeta Si – Komisioni Europian do t’i japë Shqipërisë 80 milionë euro grant, si pjesë e ndihmës për përballimin e krizës energjetike. Kjo është shifra e deklaruar nga presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen në konferencën për mediat së bashku me kryeministrin Edi Rama në Tiranë.

“Ne kemi vendosur që e vetmja përgjigje që mund të japim është me anë të unitetit dhe solidaritetit. Jemi pjesë e një unioni për energjinë, prandaj po propozojmë një paketë mbështetëse për energjinë në Ballkanin Perëndimor për të ndihmuar në zbutjen e çmimeve të larta të energjisë tek bizneset familjet qytetarët. Është një grant 80 milionë euro.

Pjesa e dytë ka të bëjë me mbështetjen që do të vijë pas janarit, në aspektin afatmesëm dhe afatgjatë. Po flasim 500 milionë euro në grante për të investuar në infrastrukturën energjetike në gjithë rajonin”, – tha në konferencën për median presidentja e KE-së.

Nga konferenca per shtyp e Rames dhe Von der Leyen. Gazeta Si, 27 tetor 2022

Ndihma e dhënë nga ana e Bashkimit Europian për Shqipërinë është mirëpritur nga Rama me rezerva. “80 milionë euro grante nuk janë pak, janë një shifër e konsiderueshme. Për t’u përgjigjur pyetjes, sa pjesë e të tërë nevojës janë që të mbrojmë çmimin e familjeve, janë një e gjashta. Nëse i referohemi këtij viti, na është dashur në total, 460 milionë euro. Një shumë e kombinuar nga buxheti i shtetit dhe OSHE”, – tha kryeministri Rama.

Shefi i qeverisë shqiptare hodhi poshtë edhe zërat për rritjen e ccmimit të energjisë, duke deklaruar se fasha prej 800 kilovat në ore është tavan dhe se nga 1,2 milionë abonentë preken vetëm 60 familje. Ai theksoi se një tavan të tillë e ka edhe Kosova që po aplikon prej kohësh.

“Nëse do të kursehet arsyeshëm, mundësia që ne të veprojmë ndryshe me fashën krijohet. Fasha ka kohë që është vendosur në Kosovë dhe nuk na rezulton që ka prekur gjithë popullin e Kosovës”, – theksoi Rama.

Ndërsa bëri të ditur vendosja e tatimit të jashtëzakonshëm nuk është për të gjithë HEC-et në vend, por vetëm për tre prodhuesi më të mëdhenj të energjisë, që sipas tij, kanë akumuluar të ardhura duke përfituar nga kriza energjetike.

“Nuk kanë bërë asgjë për të shitur energjinë me shumëfish. Ata nuk mund të nxjerrin fitime marramendëse se u ra fati dhe ne nuk kemi mundësi. Ta vendosim taksën e jashtëzakonshme dhe do mbështesim ata që janë në nevojë”, – tha Rama.

Ai bëri të ditur se me presidentet e Komisionit Europian, është diskutuar edhe për projektin së BE ka së bashku me Azerbajxhanin për ndërtimin e gazsjellësit Adriatiko-Jonian, që kalon në Shqipëri dhe furnizon Malin e Zi dhe Kroacinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë