Komunitet

Barometri i Lirisë së Medias, rritet numri i gazetarëve që kërcënohen fizikisht dhe verbalisht

Nga Gazeta Si- Barometri i “Lirisë së Medias” që realizohet në Shqipëri nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), për të dytin vit radhazi konfirmon gjendjen jo të mirë të medias dhe lirisë së shprehjes në vend. Situata vijon të mbetet problematike si përsa i përket lirisë së medias ashtu edhe kushteve të punës me të cilat përballen punonjësit e medias në vendin tonë.

Analiza e të dhënave të grumbulluara nga Barometri konfirmon se pavarësisht se informaliteti në radhët e punonjësve të medias ka pësuar një ulje të vogël në krahasim me një vit më parë, punëdhënësit në sektor nuk respektojnë kërkesat ligjore të Kodit të Punës, veçanërisht sa i përket raportit midis ditëve të punës dhe atyre të pushimit. Shumica absolute e raportuesve 97%, të pyetur me anë të Barometrit e konsiderojnë të domosdoshëm një organizim sindikal të fortë në sektorin e medias, por thuajse po e njëjta përqindje (me një diferencë më të vogël) hezitojnë të anëtarësohen në këtë sindikatë, duke menduar për pasojat që mund të vijnë nga pronarët e medias.

Barometri i vitit 2021 evidenton rritje të rasteve të kërcënimit fizik dhe verbal ndaj gazetarëve e punonjësve të media. Pavarësisht se ka një rënie të lehtë në raport me një vit më parë, vijon të jetë shqetësues fakti se afro një në dy gazetarë janë censuruar nga struktura hierarkike dhe drejtuese e redaksisë dhe po kaq, prej tyre kanë pësuar vetë-censurë. Ndërkohë, pjesa më e madhe e të anketuarve, 68% e tyre (2.5% më shumë se vitin e shkuar) perceptojnë se media në Shqipëri është pak ose aspak e lirë. Përfaqësues të politikës në nivel qendror apo vendor mbeten sërish censuruesit dhe kufizuesit kryesorë të lirisë së medias sipas të anketuarve, të ndjekur sërish nga pronarë të medieve, përfaqësues të strukturave shtetërore, kryesisht ato policore dhe persona të identifikuar si të përfshirë apo implikuar në krim.

Informaliteti në punë

Informaliteti në punë reflekton përmirësim të situatës, pasi 84% e të anketuarve pohuan se punojnë bazuar në një kontratë të rregullt pune, duke dëshmuar një përmirësim në masën 15%, në raport me të dhënat e Barometrit të vitit 2020. Megjithatë, vlen të theksohet se numri i atyre që punojnë pa kontratë mbetet sërish i lartë, pasi rreth 16% u përgjigjën se nuk kanë një kontratë të rregullt pune apo nuk kanë informacion për marrëdhënien e tyre kontraktuale, edhe pse një nivel i përmirësuar në masën 14%, në raport me të dhënat e një viti më parë.

Bullizimi/tallja në vendin e punës

Bullizimi apo tallja në vendin e punës mbetet në nivele pothuajse të njëjta me vitin e shkuar, duke reflektuar një rritje me vetëm 1% të të anketuarve, në total 12.5% e tyre pohojnë se janë bullizuar/tallur gjatë punës apo për shkak të saj, në ambientin e punës. Në këtë kategori, shumica e tyre pohuan se kishin më shumë se 10 vite përvojë në punë, ndërsa fenomeni raportohet si nga femrat, ashtu dhe nga meshkujt, duke mos e reflektuar si një problem me bazë gjinore bullizimin në vendin e punës.

Ndërkohë, përsa i përket të drejtës për pushime javore dhe vjetore, 63.5% e punonjësve të medias deklarojnë se punojnë 6 ditë në javë, një përqindje më e lartë se ajo e vitit të kaluar, përkatësisht me 59%. I lartë mbetet edhe numri i atyre që nuk bëjnë pushim javor (14.5%).

Shqetësuese mbeten të dhënat lidhur me kërcënimet fizike dhe verbale ndaj gazetarëve e punonjësve të medias. Barometri i vitit 2021 evidenton raste të shpeshta të kërcënimit fizik dhe verbal ndaj gazetarëve e punonjësve të medias. I njëjti konstatim është vërejtur edhe gjatë vitit 2020. Të dhënat e mbledhura tregojnë një rritje gjatë vitit 2021, me 1.5% të gazetarëve që janë përballur me kërcënime fizike apo verbale. Konkretisht 34.5 % e të anketuarve raportuan se ishin kërcënuar fizikisht ndërkohë që 50% raportojnë kërcënime verbale për shkak të punës apo gjatë kryerjes së saj. Kërcënuesit gjithashtu mbeten të njëjtë ku konfirmohen punonjësit e policisë, protestuesit, persona të dyshuar për lidhje me botën e krimit apo persona të përfshirë në një ngjarje.

Gjithashtu punonjësit e medias vijojnë të raportojnë nivele të larta stresi për shkak të punës. Rreth 68.5% e të anketuarve ose 11% më pak se një vit më parë, raportuan se kishin mbuluar dhe raportuar ngjarje që u kishin shkaktuar tronditje të fortë psikologjike. Megjithatë kërkimi i ndihmës mjekësore për këto situata mbetet thuajse tabu dhe vetëm 6% e punonjësve të pyetur pohuan se kishin kërkuar ndihmë mjekësore apo psikologjike.

Gazetaria cilësore mbetet një problem

Sipas të anketuarve (30% e tyre) gazetaria cilësore ka qenë më shumë prezente në media në vitin 2021 krahasuar me vitin 2020. Megjithatë numri i atyre që e shohin gazetarinë si të ngecur në vend apo në rënie është sërish më i lartë. Për 70% të të anketuarve, gazetaria cilësore shënon nivele të njëjta ose rënie gjatë 2021-it. Faktorët ndikues për vitin 2021 janë:

– situata e krijuar nga pandemia që vijoi edhe përgjatë vitit 2021,

– ndikimi i qeverisë dhe politikës në media,

– zgjedhjet parlamentare, të zhvilluara në 25 prill 2021 u përmendën gjithashtu si një faktor ndikues në rënien e gazetarisë cilësore.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë