Politike

Rama: Shqipëria po punon dyfishin e territorit, rikthimi në fshat tregues i rritjes së bujqësisë

Kryeministri Edi Rama këtë të hënë është ndalur në Ersekë ku tha se sot fshati dhe bujqësia janë në fazën e rikuperimit dhe këtë e tregon dhe rritja e eksporteve.

Ai theksoi se është shumë i nevojshëm bashkimi, por edhe rritja e kapaciteteve përpunuese në mënyrë që të rritet vlera e prodhimit në treg.

“Fermerët kanë një prioritet, fshati ka një prioritet, ne jemi shumë të inkurajuar nga ecuria e rritjes së bujqësisë dhe të eksporteve. E kemi nisur këtë përpjekje me 120 milionë euro eksporte, po shikojmë javë pas jave ecurinë me dëshirën që të arrijmë edhe atë kufirin e paparashikuar gjysmë miliardi euro eksporte. Kjo flet vetë për një realitet, i cili me gjithë vështirësitë e veta, me një prapambetje të trashëguar ku fshati u la në harresë totale, po ndryshon për mirë natyrisht.

Fakti që janë shitur 80% e mollëve flet shumë, për të ardhurat por edhe për atë pjesë që nuk del në treg për shkak se nuk i përshtatet kushteve të reja dhe logjikës së tregut. Tregut duhet t’i adaptohemi me kërkesat e tij”, tha Rama.

Ai shtoi se sot Shqipëria po punon dyfishin e territorit dhe sektori nuk është në braktisje por në rimëkëmbje të vazhdueshme.

“Janë më shumë të rinjtë që ikin nga fshati se ata që kthehen. Por fakti që ka një tendencë të re kthimi në fshat nga një numër të vogël të rinjsh, flet shumë për atë që do të jetë e ardhmja e jo shumë viteve larg. Natyrisht që ka disa kushte që duhen plotësuar”, tha Rama ndërsa shtoi se një prej tyre është NIPT-i i cili është kyç në marrjen e mbështetjes nga qeveria dhe subvencionimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë