Nga Gazeta Si – Për Sali Berishën dhe Ilir Metën nuk është hera e parë që bashkëpunojnë në zgjedhje duke dalë në koalicion, edhe pse ky bashkëpunim kësaj here nga të dy cilësohet si historik.
Pavarësisht bashkimit të forcave, shifrat janë ato që flasin më tepër se sa do të ndikojnë në përballjen me socialistët, e veçanërisht në rrëzimin nga froni tetëvjeçar i Erion Veliajt, i cili po kërkon që të marrë një mandat të tretë si kryebashkiak i Tiranës.
Llogaritë e votave kësaj here mund të bazohen me shifrat e zgjedhjeve parlamentare të 2021-ishit. Aty ky pesha reale e partive ishte reale pasi nuk kishte koalicione, duke përjashtuar PD që kishte një koalicion jo de jure, me aleatët e saj si PR, PBDNJ, PDK, e të tjerë ku kryetarët e partive ishin në listat e demokratëve për deputetë.
Ndërsa LSI nuk pranoi ofertën e PD për të qenë në lista të përbashkëta, duke konkurruar e vetme.
Sipas rezultatit të zgjedhjeve të zgjedhjeve të fundit parlamentare, PD ka marrë 136802 vota, ne nivel qarku mori 11 deputetë. Ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim mori 22162 vota me dy deputetë. Po ti mbledhësh së bashku këto vota rezulton që dy partitë kanë gjithsej rreth 158 964 vota. Ndërsa PS-ja që ka konkurruar e vetme në këto zgjedhje, ka marrë 183365. Me bashkimin në mënyrë hipotetike të këtyre votave, rezulton se PS ka 24401 vota më shumë se PD dhe LSI bashkë.
Këto shifra mund të kenë një realitet tjetër, por që të realizosh krahasim me zgjedhjet lokale duhet të shkosh në zgjedhjet e vitit 2015, pasi në vitin 2019 opozita i bojkoti zgjedhjet. Por që LSI sot e konvertuar në Partinë e Lirisë në vitin 2015 ishte në koalicion me PS-në. Si subjekt politik, LSI e Metës kishte marrë 54,292, afro dy herë më shumë se në zgjedhjet e fundit parlamentare.
Partia Socialiste kishte marrë e vetme si subjekt 108,290 vota. Si koalicion PS me aleatët e saj ku ishin LSI dhe mbi 20 parti kishte 196,163 vota. Ndërsa koalicioni PD-së me 21 parti kishte gjithsej 89,654 vota. Ndërsa PD e vetme si subjekt kishte marrë 76,755 vota. Në ato zgjedhje, Erion Veliaj kishte përballë Halim Kosovën nga PD-ja. Doktor Kosova mori 116,628 vota, por të pamjaftueshme për të mundur Veliajn. Ai mori 160,235 vota, duke fituar me një diferencë me mbi 43 mijë vota.
Bashkëpunimi mes Berishës dhe Metës pati sukses vetëm në zgjedhjet lokale të vitit 2011, ku zgjedhjet për bashkinë e Tiranës nxorën fitues Lulzim Bashën përballë Edi Ramës. Asaj kohë diferenca për Tiranën ishte tejet e ngushtë, fillimisht u shpall fitues Rama, por që KQZ, me kërkesën e PD-së kërkonte rinumërimin e votave të hedhura në kutinë e gabuar, çka solli përmbysjen e rezultatit të votave, duke bërë që Basha të shpallej kryetar i bashkisë së Tiranës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje