Politike

Dështojnë negociatat / PD e përçarë në zgjedhjet e 14 majit, Grupi Alibeaj me kandidatë të vetët

Nuk ka tym të bardhë në kampin blu.

Partia Demokratike dështon në tentativat për të arritur një konsensus me dy kampeve për të dalë së bashku ne zgjedhjet lokale. Grupimi i “Alibeajt” në mbledhjen me deputetët të zhvilluar pasditen e kësaj të marte në Kryesinë e Kuvendit ka vendosur që të dalë më vete në zgjedhje, pa grupimin që drejtohet nga Sali Berisha.

Bashkimi mes demokratëve të paktën për momentin duket një mision i pamundur. Në një deklaratë zyrtare të grupit të deputetëve mbështetës të Alibeajt bëhet e ditur se nga pala tjetër e përfaqësuar nga Edi Paloka ka pasur refuzim të vazhdueshëm të kërkesave.

“Ne shprehim keqardhjen që në kundërshtim me zotimin publik për “bisedime pa kushte”, prevaloi interesi dhe kushti për të njohur “Statutin” e 11 Dhjetorit, duke minuar në këtë mënyrë bisedimet për të gjetur zgjidhje për zgjedhjet lokale. Anëtarët, simpatizantët dhe votuesit e Partisë Demokratike, janë të lodhur nga debati “kush është statuti në fuqi i Partisë Demokratike”. Ato kërkojnë zgjidhje për të unifikuar çdo zë opozitar përballë Edi Ramës në zgjedhje lokale. Humbja e kësaj mundësie me kokëfortësi dhe duke injoruar situatën e rëndë që po kalon Partia Demokratike, nuk është në interes të qytetarëve dhe dobëson alternativën e opozitës në zgjedhjet lokale të 14 Majit”, thuhet në deklaratën e lëshuar pas këtij takimi.

 Më pas theksohet se “refuzimi i vazhdueshëm i çdo propozimi të bërë nga ana jonë, përfshirë propozimin final të paraqitur edhe me shkrim, është tregues i mungesës së sinqeritetit dhe vullnetit për të gjetur zgjidhje”.  “Ky refuzim provon paramendimin për të mos gjetur zgjidhje dhe vënien para faktit të kryer të palës tjetër. Kjo bëhet evidente nga fakti që ndërsa palët ishin në bisedime mes tyre, njëra palë vijonte me akte të njëanshme apo me deklarata publike të disa përfaqësuesve politik që shkonin në frymën e nxitjes së dështimit të bisedimeve mes palëve” thuhet më tej në deklaratë.

Në kushtet e mohimit të mundësive, siç pretendon grupimi “Alibeaj” deputetët kanë rënë dakord që të dalin me kandidatët e tyre në zgjedhjet e 14 majit. “Nisur nga kjo situatë, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka kërkuar të informohet Kryesia e Partisë Demokratike, për ti hapur rrugë krijimit të të gjitha kushteve për përgatitjen dhe pjesëmarrjen e Partisë Demokratike në zgjedhjet e ardhshme vendore”, thuhet në këtë deklaratë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë