Politike

Refuzimi i grupit “Alibeajt” nxeh Berishën: Kush prek flamurin e PD-së i ka bërë hesapet gabim

Sali Berisha ka qenë tejet i papërmbajtshëm sa i përket komentit të dhënë për mediat në lidhje me refuzimin nga grupimi i “Alibeajt” për t’u bashkuar për zgjedhjet e 14 majit.

“Statuti i 11 dhjetorit është Kushtetuta e pathyeshme e PD-së së Rithemeluar. Statuti është jashtë çdo lloj kompetence për tu shkelmuar. Ai është dokumenti bazë i PD-së në momentet kur ajo ndodhej përballë alternativës ‘të ishte apo jo’. Është themeli i saj, mbi të cilën është ngritur kjo forcë politike sot, më e fuqishme se kurrë dhe më e fuqishme se çdo forcë politike. Është ky statut që përbën themelet e fitores në zgjedhjet e 14 majit, por para saj leksionet historike që do të marrë çeta e vjedhësve, hajdutëve të Edi Ramës nga qytetarët shqiptarë”, tha Berisha.

Ai deklaroi se ftesa ndaj grupimit Alibeaj, ishte pa asnjë paragjykim dhe paramendim që të bashkoheshin, ose të kandidonin për zgjedhjet lokale të 14 majit.

“Opozita nuk mund të pengohet nga asgjë për të firmosur fitoren në këto zgjedhje. Zotërinjtë, një grup deputetësh, u ftuan, ose erdhën, pa asnjë lloj paragjykimi dhe prapamendimi që të bashkohen nëse donin, të garonin për çdo post në këto bashki, të paraqisnin kandidatura, ose në përputhje me statutin të krijonin, po të duan fraksionin. Por ata, sa janë nuk e di, por ata nuk duan as statutin as primaret dhe as fraksionin”, theksoi Berisha.

Por pyetjes nëse grupimi i PD-së do të kandidojë me logon e PD-së, Berisha i lëshoi një paralajmërim të qartë. “Të sigurtë të jeni se ai që prek flamurin e PD-së, i ka bërë hesapet shumë, shumë keq.  Kjo do të thotë që do e shikoni në ditët e ardhshme. Nuk i preket flamuri Partisë Demokratike”, tha kryedemokrati.

Këto komente Berisha i bëri para nisjes së mbledhjes me kryetarët e degëve të PD-së së Tiranës  për të dhënë udhëzimet dhe për të bërë diskutimet për përgatitjet për protestën e 12 nëntorit, që sipas tij do të jetë e jashtëzakonshme. “Ju nuk mund ta imagjinoni se sa zien sot në të 4-anët e vendit urrejtja ndaj Edi Ramës dhe bandës së tij”, theksoi Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë