Edi Paloka negociatori i palës “Berisha” me grupimin “Alibeaj” ka rrëfyer përplasjet me Gazmend Bardhin gjatë negociatave. Ai u shpreh se i vetmi kusht që nuk u pranua ishte ai i primareve.
Sipas tij, primaret janë edhe në të dyja statutet që përdorin të dyja kampet të ndara mes demokratëve.
“Ne nuk kemi kërkuar as tërheqjen e kërkesës absurde në gjykatë. As njohjen e Berishës si kryetar. Fraksioni u thamë se është mundësi për të qenë pjesë e PD edhe pse kundërshtar brenda PD. Por dje ishte një fletë e mbushur me kushte. Që aty gjykohet se nuk ka vullnet për bisedime. Bisedimet kanë filluar përpara edhe me përfaqësues të tjerë. Nuk e them dot emrin”, deklaroi Paloka.
Por ai theksoi se këto bisedimet ishin për të krijuar idenë se ka vullnet për t’u bashkuar, por që sipas tij, rezulton një farsë dhe për këtë faj ka pala tjetër.
“Jemi ulur në kafe me palën tjetër dhe kemi diskutuar, i dhashë start bisedimeve një ditë dhe kam qenë në bisedime gjithë kohën. Lexoni deklaratën sot dhe kuptoni kush nuk është dakord me primaret, ai grupi le të prononcohet a duhet shkatërruar PD, pak nga pak nëse do ketë mundësi do jap dhe detaje, sepse ata e kanë pranuar se nëse do dilnin me kandidatura e dinin se nuk do fitojnë dhe është vetëm për të dëmtuar PD, atë e kanë shprehur para meje me gojë. Dikush nuk do bashkimin tonë. Ai është Edi Rama”, tha ai më tej.
Më tej ai aludoi se pas këtyre zhvillimeve mund të qëndrojë edhe Basha, edhe pse zyrtarisht ka dhënë dorëheqjen.
“Ata kanë bashkuar votat me Ballën dhe Ramën dhe i dhanë goditje bisedimeve dhe mora goditje nga demokratët për bisedimet me ta. Basha nuk ka hyrë fare, mund të jetë si hije diku mbrapa, por shoh hijen e Ramës më shumë të them të drejtën”, deklaroi Paloka.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje