Politike

Strehimi i opozitës iraniane në kampin e MEK, Basha thyen heshtjen për Ramën: SHBA nuk na ka asnjë borxh

Të enjten në mbrëmje, në mediat kryesore në vend në ‘prime time’ kishte zënë vend politika.

Diku i ftuar Enkelejd Alibeaj, diku tre kandidatët e PD-së për Tiranën, diku kryeministri Edi Rama e madje edhe Sali Berisha.

Të gjithë në një kohë, duke iu përgjigjur interesit të medias.

Por ai që i ka tërhequr vëmendjen heshtjes së Lulzim Bashës ka qenë kryeministri Edi Rama i ftuar në “Real Story” .

Menjëherë pas deklaratës së kryeministrit Rama se SHBA-të i kanë një borxh për të larë Shqipërisë, duke ju referuar strehimit të anëtarëve të opozitës iraniane në kampin MEK, ka reaguar edhe Lulzim Basha përmes një cicërime në Twitter.

“Aleatët tanë strategjikë SHBA nuk kanë asnjë borxh ndaj nesh, ndërsa ne nuk lajmë dot kurrë borxhin ndaj tyre për Shqipërinë e pavarur, të çliruar nga komunizmi dhe në NATO, për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës dhe për të drejtat e shqiptarëve në RMV e kudo.

Shteti i së drejtës me barazi para ligjit për të gjithë, demokracia funksionale dhe media e lirë, konkurenca e ndershme dhe liria e tregut, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë standartet ende të paplotësuara të partneritetit dhe aleancës strategjike”, shkruan Basha në Twitter.

Më herët rama kishte deklaruar se “Aleancat e natyrës strategjike nuk janë menu që ty të pëlqen të marrësh pjatën e parë, por jo të dytën. Ti ke detyrimet e tua por edhe momentet kur mund ta bësh veten të vlefshme për aleatët. Ne u kemi thënë aleatëve tanë se ne ofrojmë shtëpinë tonë për këta njerëz që janë në rrezik jete, ata duhet të garantojnë jetesën e tyre dhe aleatët tanë strategjikë amerikanë duhet të garantojnë sigurinë”.

Kryeministri tha se “sot është shumë e qartë se ne e kemi bërë tonën, ata e kanë mbajtur veten, kurse aleatët tanë kanë një borxh për të larë me ne. Ata janë të vetëdijshëm. Ne jemi duke diskutuar mbi këtë borxh në raport me detyrat që kemi ndarë”.

Po ashtu, Rama theksoi se “ne e kemi të qartë se nuk kemi kapacitete që të garantojmë sigurinë jo vetëm të jetës së tyre, por sigurinë në vazhdimësi”.

“Ne nuk i kemi marrë ata këtu se ne vetë kemi, apo kemi pasur platformë lufte për të rrëzuar regjimin atje. Ne nuk jemi ende sot në lartësinë e një mbrojtjeje të asaj natyre që të përballojë aktorë që janë në nivelin e lartë”, deklaroi Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë